Deputetët e PD dogjën karriget në parlament, reagon Balla: Sa më shumë dhunë prej tyre, aq më shumë vota për ne

Nga A2 CNN
30 Shtator 2024, 20:58 | Politikë

Deputetët e PD dogjën karriget në parlament, reagon Balla: Sa

Sa më shumë dhunë prej tyre, aq më shumë vota për ne. Është ky reagimi i ministrit të Shtetit për marrëdhëniet me parlamentin Taulant Balla, pas dhunës së sotme në Kuvend, ku deputetët e opozitës dogjën karriget pas burgosjes së Ervin Salianjit.

Për Ballën ky është një skenar i njohur, pasi sipas tij sa herë që Shqipëria gjendet para një momenti historik, sikurse është Konferenca e Dytë Ndërqeveritare që mbahet në 15 tetor, Balla thotë se Berisha porosit dhunë.

“Sa herë Shqipëria gjendet para një momenti historik, siç presim me padurim Konferencën e Dytë Ndërqeveritare pas pak ditësh në Bruksel, mes Shqipërisë dhe BE, përsëri Sali Berisha ka porositur dhunë. “Marrëzia është bësh të njëjtin veprim vazhdimisht e të presësh rezultate të ndryshme” thoshte Ajnshtajni. Edhe me dhunën e Saliut, rezultati ka qenë gjithmonë i njëjtë. Sa më të dhunshëm bëhen, aq më të vendosur jemi ne për të ecur përpara në rrugën tonë, pasi sot kjo është e vetmja rrugë që afron Shqipërinë me Europën”, shkruan Balla, raporton A2.

Po kjo sipas tij përkthehet në vota për mazhorancën në zgjedhjet e ardhshme, sepse dhuna nuk mund të tolerohet.

“Sa më shumë dhunë prej tyre, aq më shumë vota në zgjedhjet e ardhshme për ne, sepse askush nuk voton për partinë e dhunës dhe destabilitetit, as në Shqipëri e as në diasporë. Shqipëria ka vuajtur shumë për të fituar të drejtën e fjalës së lirë dhe parlamentin e zgjedhur nga vota e lirë, dhe në respekt të tyre nuk mund të tolerohet dhuna dhe barbarizmi ndaj institucioneve”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos