“Deputetët tanë nuk janë aty për t’u përleshur me këmbë karrigesh, por për të debatuar me fjalë”. Këtë mesazh përcolli kreu i grupit parlamentar socialist, Niko Peleshi, pas seancës së sotme parlamentare që u përfshi nga tymi dhe flakët. Në një reagim në rrjetet sociale, Peleshi thekson se aktet e sotme të dhunës në parlament nuk janë thjesht aksion politik i opozitës.
“Aktet e sotme të dhunës në Parlamentin e Shqipërisë nuk përfaqësojnë thjesht një aksion politik nga opozita, por janë një manifestim i qartë i dhunës së papranueshme, që tejkalon çdo veprim radikal të mëparshëm. Djegia e karrigeve është simbol i djegies së besimit të qytetarëve, pikërisht në ditët kur Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për bashkimin e forcave në rrugën e hapur drejt Bashkimit Europian”, shkruan Peleshi, raporton A2.
A2 transmeton se Peleshi thekson që deputetit nuk mund t’i tolerohet asgjë që i ndalohet qytetarit të zakonshëm dhe aq më tepër dhuna.
“Sot nga ne pritet përgjegjshmëri, maturi politike dhe përkushtim ndaj reformave që përqafojnë vlerat europiane. Seanca parlamentare duhet të jetë tempull i etikës dhe respektimit të ligjit, dhe jo një skenë ku ligji shkelet dhunshëm. Deputetët tanë nuk janë aty për t’u përleshur me këmbë karrigesh, por për të debatuar me fjalë. Deputetit nuk mund t’i tolerohet asgjë që i ndalohet qytetarit të zakonshëm. Aq më tepër dhuna”. (A2 Televizion)