Fyerje, ofendime dhe këmbë të karrigeve të Kuvendit u hodhën në drejtim të kryeparlamentares Elisa Spiropali nga deputetët demokratë gjatë seancës së sotme plenare, që zgjati vetëm 20 minuta.
Skenat e dhunës u rikthyen në Parlament vetëm pak pasi Spiropali njoftoi ndërprerjen e mandatit të deputetit Ervin Salianji dhe vijuan me djegien e karrigeve nga ligjvënësit opozitarë.
Lidhur me tensionin dhe incidentet që shoqëruan seancën e sotme, kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale.
Sipas saj djegia e karrigeve, për të cilat deputetët demokratë thanë se janë të tyret dhe qytetarëve, tregon nivelin ekstrem të mungesës së respektit për votuesit dhe shtetin ligjor, raporton A2.
“‘Karriget tona janë të qytetarëve” tha një deputet i opozitës! Kjo është shumë e vërtetë dhe prandaj ato karrige janë për t’u respektuar duke u ulur mbi to me peshën e besimit të marrë prej qytetarëve. Djegia e tyre dëshmon nivelin më ekstrem të mungesës së respektit për qytetarët, ligjin dhe institucionet e shtetit demokratik”, shprehet Spiropali.
Në vijim, kryeparlamentarja thotë se zjarrvënia e sotme e ka kthyer Kuvendin në skenë krimi dhe fajtorë bën ata që sipas saj përbuzin demokracinë.
“Fatkeqësisht zjarrin mbi parlamentet e kanë vënë vetëm përbuzësit dhe shkatërruesit më të mëdhenj të demokracisë në historinë e saj. Edhe më fatkeqësisht zjarrvënia e sotme, dhe aktet ekstreme të dhunës brenda sallës, e kanë kthyer Kuvendin në një skenë krimi, për t'u marrë në këqyrje nga organet ligjzbatuese. Keqardhje e thellë!”, shkruan Spiropali. (A2 Televizion)