Kërkesa e lartë, oferta e limituar dhe natyrisht projektet strategjike, e kanë bërë Vlorën një ndër qytetet më të preferuara për të blerë një apartament. Me çmimet që shkojnë deri në 3500 euro metri katror, ky qytet po bëhet i papërballueshëm për çiftet e reja për të patur një banesë për familjet e tyre.
Vlora po bëhet një mollë e ndaluar për çiftet e reja që duan të marrin një banesë për të krijuar familje. Çmimet e apartamenteve veçanërisht në zonat e Lungomares por jo vetëm po rriten me shpejtësi. Një prej administratorëve të agjencive imobiliare në qytetin e Vlorës jep një panoramë të situatës, shkaqeve dhe çmimeve për metër katror ndërtim.
Sipas agjentit imobiliar një çifti të ri në Vlorë dhe të punësuar do ti duhen disa dekada të kenë në pronësi të tyre një banesë, natyrisht jo në zonat e lakmuara. Por ajo që është më shqetësuese është fakti që parashikimet i projektojnë në rritje të vazhdueshme çmimet e apartamenteve në Vlorë, nisur edhe nga projektet strategjike që priten të zhvillohen kryesisht përgjatë bregdetit. (A2 Televizion)