Ervin Salianji ka tentuar të dorëzojë zyrtarisht aplikimin e tij për kreun e PD-së, përmes përfaqësuesve të tij, por ai nuk është pranuar me argumentin se zyrat e selisë blu janë bosh, dhe nuk ka persona për administrimin e dokumentacionit, raporton A2CNN.
Përfaqësuesit e Salianjit pretenndojnë që e gjitha kjo është e inskenuar pasi ka “frikë nga gara”. Megjithatë ata nuk janë dorëzuar në përpjekjen e tyre, duke lënë dokumentacionin në recepsion. Po ashtu ata kanë thënë për mediat se aplikimi do të dërgohet përmes postës, si dhe përmes email-it në adresën e PD.
“Sot kemi ardhur para orës 12:00, shënon ora 11:04 dhe thuhet që nuk ka njeri në zyrat e organizimit të PD! Z.Salianji siç e ka thënë edhe z.Berisha është një martir i gjallë i demokracisë.
Në zyrat e PD dhe në zyrat e organizimit të PD nuk ndodhet asnjë zyrtar, kjo jo vetëm është e qëllimshme, është e gjitha e inskenuar, por tregon edhe njëherë se ajo që premtoi doktor Berisha në Rithemelim për garë të hapur, tregon që nuk ka asnjë formë për të hyrë në në zyrat e organizimit për një garë, jo më për të garuar përballë Berishës.
Do t’i dorëzohen edhe në formë elektronike dhe me postë, ato do të dorëzohen, por kishte një skenë e panevojshme. Jam shumë i sigurt që në këto zyra ndodhet edhe sekretari organizativ dhe zyrtarë të tjerë të PD. Do të gjejmë forma të tjera për të dorëzuar dokumentacionin e z.Salianji. Nëse ka frikë për garë ndodhin këto skena që ju shihni”, tha përfaqësuesi i Salianjit duke folur për mediat.
Në një reagim të bërë më herët në rrjetet sociale, Salianji u shpreh se pavarësisht asaj që e cilëson si “farsë”, ai nuk do të tërhiqet nga gara. Ai u shpreh se frymëzohet nga modeli i demokracisë perëndimore dhe synon të kontribuojë në demokratizimin e Partisë Demokratike.
(A2 Televizion)