Dëshmia në Kongresin Amerikan ku emri i Sali Berishës u citua si viktimë e përndjekjes politike përmes reformës në drejtësi, frymëzoi debatin në Parlamentin e Tiranës. Kryedemokrati hyri me pozita edhe më të favorshme në sallë, duke shprehur bindjen se era e ndryshimeve përtej Atlantikut do të sjellë rotacionin e pushtetit edhe në Shqipëri më 11 maj.
“Ju garantoj se gjë në botë nuk ju shpëton nga 11 maji, po ju vjen fundi nga njeriu që nuk guxon të vij më në parlament”, tha Berisha.
“Kam një përshtypje miqtë e mi se po ngatërroni kekun me byrekun thonë nga fshati”, u përgjigj Pandeli Majko.
Batutat e socialistëve nuk zbutën peshën e akuzave të Sali Berishës i cili riktheu në sallën e Kuvendit çështjen McGonigal.
“A e kuptoni ju që keni në krye një njeri i cili korruptoi shefin e kundër inteligjencës së SHBA dhe një nga ata që bëhu gjahun e shtrigave ndaj Presidentit Donald Trump. Çfarë mendoni ju se ajo do të mbyllet siç u mbyll? Është akti më flagrant i korrupsionit. Kur nuk ke asnjë parim, kur je i aftë të kryesh atë krim, natyrisht del një krim”, shtoi Berisha.
Nga korrupsioni në SHBA debati kaloi tek akuzat për korrupsion brenda vendit, ku Berisha tha se SPAK i ka sekuestruar laptopin Sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë.
Replika e shumicës në parlament nuk ishte për SPAK, por sërish te zgjedhjet.
Pas këtij debati salla e parlamentit kaloi në diskutimin e rendit të ditës i cili ishte i gjithë i dedikuar votimit të diasporës me zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit për parlamentaret e 11 majit. (A2 Televizion)