“Drejtësia po shantazhohet”, Krasniqi: Elita politike është pjesa më e korruptuar në Shqipëri

Nga A2 CNN
28 Prill 2026, 20:54 | Politikë


Presionet politike dhe mediatike po ndikojnë negativisht në funksionimin e drejtësisë në vend. Kështu u shpreh në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN politologu Afrim Krasniqi, i cili e cilësoi një hap pas për reformën në drejtësi, shantazhin që sipas tij u bëhet figurave të drejtësisë.

“Sjellja që është bërë ndaj zotit Meta në rastin e arrestimit ka qenë nonsens dhe një zhvillim pas në konceptin e imazhit të Shqipërisë dhe shtetit të drejtës, por edhe presioni publik dhe denigrues që ju bëhët prokurorëve të çështjes dhe gjyqtarëve të çështjes është po ashtu një zhvillim pas, për cilësinë e reformës në drejtësi dhe është një lloj pengimi, jo vetëm pengimi, por shantazhimi që edhe grupe politike dhe mediatike i bëjnë figurave të drejtësisë. Ne duhet ta lëmë drejtësinë të flasë dhe duhet të shohim nëse proceset na ofrojnë një drejtësi më cilësore sa drejtësia e kaluar. Ky mendoj duhet të ishte thelbi”, theksoi ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Sipas tij, në disa raste, përfshirë atë të ish-presidentit Ilir Meta, janë përdorur më shumë argumente politike sesa juridike. Krasniqi thekson se është më shumë përpjekje për ta bërë shoë politik sesa për të bërë një proces të rregullt ligjor.

“Zoti Meta ka ndryshuar disa herë ekipet dhe deri tani ne kemi parë më shumë argumentë politikë sesa juridikë. Edhe te rasti i kryetarit të bashkisë, madje vendimi i fundit për të marrë një deputet i cili është vetë në hetim, është më shumë përpjekje për ta bërë show politik sesa për të bërë një proces të rregullt ligjor. Por kjo është një kosto e cila vjen normal, një vend që nuk ka një traditë proceseve të tilla. Domethënë është shumica e atyre që quhen persona zyrtarë të lartë të arrestuar gjatë tradicionit kanë qenë kryesisht me akuza gjysmë politike dhe gjysmë juridike”.

Sipas tij Shqipëria vijon të mbetet larg pritshmërive, me një nivel të lartë korrupsioni kryesisht tek  elitat politike. Në A2 CNN, Krasnqii theksoi se ndryshimi do të vijë vetëm kur politikanët të përballen me drejtësinë dhe të ndjekin standardet e demokracive perëndimore.

“Shqipëria vazhdon të jetë vend shumë larg aspiratave dhe pritshmërive dhe mundësive që ka pasur. një vend me nivel të lartë korruptuar dhe një vend ku elitat politike janë pjesa më e korruptuar e shoqërisë dhe ku janë deri diku shtyllat kryesore që mbajnë këmbë korrupsionin institucional në Shqipëri. Korrupsionin e madh në Shqipëri nuk e bën qytetari i thjeshtë, nuk e bën qytetar i pambrojtur, por e bëjnë personat që kanë akses në vendimmarrje në parlament, në ekzekutiv dhe në parti politike dhe ata vazhdojnë të riciklojnë njëri-tjetrin dhe vazhdojnë të refuzojnë me çdo formë dhe me çdo presion të mundshëm përballjen me drejtësinë. Dita kur të gjithë politikanët do sillen me standardin që sillen politikanët perëndimorë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos