Gazetari Mentor Nazarko u shpreh se “ka ardhur koha që të shikohet qasja represive me të cilën po trajtohen figurat si ish-Presidenti apo kryetari i Bashkisë Tiranë”.
“Edhe ish-ministri i Shëndetësisë ankohet përveçse për problemet burokratike, shqyrtimin e fakteve në ngarkim të tij, edhe për elementë procedurialë. Ka disa probleme të proceseve ndaj këtyre figurave. Veprimi agresiv, represiv do duhej të përputhej me këto afatet proceduriale dhe me të drejtat e këtyre personave. Kështu që, mendoj se ka një problem që duhet shqyrtuar dhe natyrisht që u spikat për shkak të asaj pamje të zotit Meta, ku u duk qartë mungesa e kontaktit me diellin. Ai kishte dhënë sot një intervistë që tregonte problemet që i krijojnë me çështjen e daljes për ajrosje dy herë në ditë, që është një problem i madh”, tha Nazarko i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Nëqoftëse do të ishte problem i Ministrisë së Drejtësisë, atëherë do thoja që kjo vjen nga qeveria. Por, ndërkohë, më duket se është shprehur dhe drejtësia e re qoftë për kafazin, qoftë për çështjen e dokumentacionit të letrave, domethënë mbajtjes së kompjuterit. Mendoj që duhet qasje më liberale. Nuk jemi në shekullin XX. Unë kam ndjekur si reporter dhe si kryedaktor atëherë gjyqin ndaj Fatos Nanos, në vitin 1993. Nuk jemi më në 1993, kur sa kishim dalë nga komunizmi dhe Kodi Penal ishte pothuajse i njëjti, me ndryshime të vogla… Jemi në shekullin e XXI, duhet ndryshuar diçka”, shtoi Nazarko.
(A2 Televizion)