Një “dush të ftohtë” ju ka bërë kryeministri Edi Rama kryebashkikaëve në takimin e sotëm. Shefi i qeverisë tha se është në kufijtë e skandalozes, që ka bashki të cilat nuk punojnë e aktivizohen për të përfituar para nga fondi prej 1 miliardë lekë që Ministria e Mbrojtjes ka alokuar për projektet e Emergjencave Civile.
“Ne kemi bërë një ndryshim rrënjësor në qasjen ndaj shërbimeve sociale në bashki dhe kemi vendosur në dispozicion fonde nga qeveria dhe ka bashki këtu që nuk kanë marrë një kokërr leku dhe nuk kanë ngritur akoma shërbimet që mund të kishin ngritur me parat që janë në dispozicion se nuk kanë bërë një projekt dhe nuk kanë çarë kokën, kjo pastaj është në kufijtë e skandalozes. 33 mijë persona shërbehen sot falë këtij programi dhe shuma që përmendi Ministri i Mbrojtjes, 1 miliardë e kusur lekë të reja, shuma që përmendi ministrja e Shëndetësisë, janë para që janë në dispozicion si rezultat i rritjes së mundësive tona për të mbështetur procesin e ndryshimit”, tha Rama, shkruan A2.
Në vijim, kryeministri nënvizoi se është e paimagjinueshme të mos absorbohen këto fonde në dispozicion, kur nevojat në 61 bashkitë e vendit janë shumë më të mëdha se ato që mund të mbulohen ende nga qeveria me këto shuma.
“Kjo është e paimagjinueshme, po me ça merreni ju? Se nuk e kuptoj! Nuk arrij dot ta kuptoj”, pyeti Rama, kryebashkiakët.
Më pas kritikat në drejtim të tyre u bënë edhe më të ashpra, kur shefi i qeverisë u ndal te fakti se bashki të caktuara nuk po tërheqin as disbursimet nga Fondi Social, për t’i vendosur këto para në shërbim të shtresave në nevojë.
“Po shikoja këtu disa të dhëna dhe është e pakuptueshme që disbursimi i fondeve të Fondit Social, është qesharak në disa bashki, të cilat teorikisht nuk mundet dot të jenë mbrapa të tjerëve sepse kanë situata sidomos në zonat periferike dhe rurale shumë të agravuara se disa bashki më qendrore. Pse? Pse? Pse? Për gratë me fëmijë të vetmuara, për fëmijët autikë, për individë të rrezikuar në aspektin social etj... të kemi fondet e të mos i vëmë në dispozicion. Po pse?”, pyeti i tensionuar Rama.
Në këtë kuadër, kryeministri shprehu një vlerësim të madh për Bashkinë Kamëz, duke thënë se është model pasi ka realizuar në 100% buxhetin e saj.
“Ndërkohë sheh bashki si Kamza që realizojnë 100% buxhetin. Dhe nëse unë tani do bëj gabimin që ti lë fjalën Rakipit, ai do thotë dua më shumë sepse mund të shpenzoj më shumë. Kamza që ishte bashki model e antishërbimit social dhe ça të doni ju dhe që sot e merr fondin, e vë në dispozicion të komunitetit 100%. E njëjta gjë Vora. Bashkia e Vorës, fondin e Mbrojtjes Civile e ka 100% realizim buxheti. Pse duhet të kemi bashki të tjera që kanë 3% të buxhetit dhe nuk po ja përmend emrin këtu, sepse kam respekt për drejtuesin e Bashkisë, por 3%?”, theksoi kreu i ekzekutivit. (A2 Televizion)