“Nuk do lejojmë të burgosen deputetë të tjerë”. Boçi: Në Shqipëri nuk ka paqe politike

Nga A2 CNN
7 Tetor 2024, 23:21 | Politikë

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, tha se opozita nuk do të tërhiqet deri në realizimin e objektivit kryesor, largimin e Edi Ramës dhe zhvillimin e zgjedhjeve nën drejtimin e nje qeverie teknike.

“Kërkesat tona janë të përcaktuara qartë, për dhënie lirie për liderin e opozitës dhe Ervin Salianjin. Nesër ndodh vazhdim i mosbindjes civile, vazhdim në forma të forta shprehëse, domethënëse, që japin mesazhe të qarta, që do të ketë rezistencë”, tha Boçi në një intervistë për Ditarin e mbrëmjes, në A2 CNN. “Lufta do të jetë në proporcion me dorezën e hedhur nga Rama. Në Shqipëri nuk ka paqe politike sepse këtë ka imponuar Rama me luftën që i ka shpallur Edi Rama dhe këtë do t’i dhurojmë ne Edi Ramës deri në arritjen e paqes politike dhe sociale, nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, nëpërmjet qeverisë teknike”.

Boçi shtoi se opozita nuk do të presë që një tjetër deputet të pësojë fatin e Salianjit, për të protestuar sërish. “Nuk do të lejojmë që Rama të burgosë deputetë të tjerë, apo politikanë të tjerë. Rasti i Ervinit shfaqi malin e padrejtësisë së madhe politike që është instaluar në Shqipëri, të luftës politike të pamëshirshme që Rama ka organizuar me skalionet e tij kundër opozitës”, tha Boçi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos