
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka përgëzuar Kosovën për organizimin e zgjedhjeve të lira, demokratike dhe me standarde europiane, duke i cilësuar ato si një shembull për Shqipërinë dhe një “shuplakë” për regjimin aktual.
“Zgjedhjet në Kosovë, një mësim i mirë demokracie për shtetin amë dhe një shuplakë për regjimin në Shqipëri. Faleminderit Kosovë që na tregove se shqiptarët meritojnë të zgjedhin lirisht, se meritojnë demokraci, garë të ndershme dhe jo farsë zgjedhore! Faleminderit që na tregon se si duhet të sillet një shtet që aspiron vërtet Bashkimin Europian”, shkruan Noka.
Në një postim në rrjetet sociale, Noka vlerëson procesin zgjedhor në Kosovë, transparencën e numërimit dhe shpalljen e shpejtë të rezultatit, duke theksuar se këto janë modele që tregojnë se demokracia funksionon kur ka vullnet politik dhe respekt për qytetarët.
“Urime vëllazërore qeverisë në detyrë dhe shtetit të Kosovës për organizimin efikas të zgjedhjeve të lira, demokratike dhe me standarde europiane! Procesi, numërimi dhe rezultati brenda disa orëve, janë për t'u marrë shembull”.
Noka uron qeverinë në detyrë të Kosovës, kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje për rezultatin, si dhe kandidatët fitues të partive të tjera që do të përfaqësojnë qytetarët në Kuvendin e Kosovës.
“Urime të përzemërta Z. Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje për rezultatin e punës së tyre në ekip! Urime edhe për kandidatët fitues të partive të tjera, të cilët do të përfaqësojnë shtetasit në Kuvendin e Kosovës!”. (A2 Televizion)