Analisti Marlind Laçi tha se Albin Kurti arriti të fitojë kundër opozitës zyrtare në Kosovë, por edhe kundër Beogradit, një pjesë të Shkupit dhe kundër Tiranës. “Ai mundi edhe Aleksandër Vuçiç. Nga ana tjetër arriti të mundë një pjesë të Shkupit me Ali Ahmetin dhe nga ana tjetër mundi edhe rivalin e tij më të madh, zotin Rama, kryeministrin e Shqipërisë”, tha Laçi i ftuar në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Laçi shtoi se merita më e madhe e Kurtit është që shmangu krijimin e një Republike Srpska brenda Kosovës, sikurse është në Bosnje-Hercegovinë. “Kosova kaloi një ngërç tepër të rrezikshëm sepse është përpara Asociacionit të Komunave Serbe në Republikën e Kosovës, që në gjykimin tim në qoftë se ai plan firmoset ashtu siç është, apo dokumentacion firmoset ashtu siç është bruto, atëherë kemi të bëjmë me krijimin e një Republike Srpska të dytë në Kosovë. Në rastin tjetër, në qoftë se modeli që ka ofruar Kurti për asociacionin e komunave serbe, por pa efekt ekzekutiv, të atëherë jemi përballë një çlirimi në raportin e sovranitetit të Kosovës. Duke shtuar këtu edhe shtrirjen e juridiksionit të shtetit të Kosovës drejt veriut të Kosovës, gjë që nuk e ka arritur asnjë nga paraardhësit e tij, qoftë Thaçi, qoftë Haradinaj edhe të tjerë. Një shtet që do të vetëqeverisë dhe të vetëvendosë, duhet të ketë pushtet në çdo centimetër”, shtoi Laçi (A2 Televizion)