Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të kallëzojë penalisht kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, duke e akuzuar se nuk po zbaton ligjin dhe rregulloren për mbledhjen e Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për imunitetin e Belinda Ballukut. 5 anëtarët demokrat të Këshillit të Mandateve kërkuan për të tretën herë mbledhjen e këtij organi të Kuvendit, por mazhoranca ka refuzuar të marrë pjesë.
“Ne do të përgatisim me përgjegjshmëri të plotë edhe një kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj kryetarit të Kuvendit. Ky dokument që është ligj dhe çdo veprim i kryer në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit, ka pasoja ligjore”, deklaroi kreu i grupit demokrat, përcjell A2 CNN.
Bardhi i kujton Peleshin afatin 3 javor që është ezauruar që nga depozitimi i kërkesës së SPAK në Kuvend për heqjen e mandatit të Belinda Ballukut, ndaj thotë se do vonesë për thirrjen e mbledhjes dhe shqyrtimit të kërkesës së prokurorisë së posaçme është shpërdorim detyre.
“Kryetari i Kuvendit nuk mund të tallet me Kuvendin. Kryetari i Kuvendit nuk merr urdhra nga të korruptuarit, por duhet të zbatojë ligjin dhe t'i shërbejë interesit publik. Kryetari i Kuvendit nuk është ushtar i Belinda Ballukut. Edhe pse ajo e ka ndihmuar që të jetë sot kryetar i Kuvendit. Se është zgjedhja personale e Belinda Ballukut, Niko Peleshi, në krye të Kuvendit të Shqipërisë”, tha Bardhi, raporton A2 CNN.
Anëtarët e opozitës në Këshillin e Mandateve bën me dije se do të kërkojnë sërish mbledhjen e këtij organi ditën e hënë, në orën 11:00, por burime nga mazhoranca bëjnë me dije se qasja e socialistëve nuk ka ndryshuar dhe kryetari i Kuvendit do t’i thërrasë deputetët vetëm pasi gjykata Kushtetuese të shqyrtojë çështjen e Ballukut për masën e parë të sigurisë, atë të pezullimit nga detyra. (A2 Televizion)