“Dosja e AKSHI, organizatë kriminale”, Berisha: Hetimet të shkojnë te Rama dhe bashkëshortja e tij

Nga Anesti Barjamemaj
16 Dhjetor 2025, 14:42 | Politikë

“Dosja e AKSHI, organizatë kriminale”, Berisha: Hetimet të

“Këta janë grupi i strukturuar kriminal, më saktë organizatë kriminale”. Me këto fjalë i përshkruan Sali Berisha zyrtarët shtetërorë dhe biznesmenët që SPAK ka vendosur masa sigurie ndaj tyre për dosjen e tenderave të AKSHI-t.

Pavarësisht 8 masave të sigurisë, Berisha nuk është i kënaqur me punën e SPAK dhe kërkon që hetimet të shtrihen deri te familja kryeministrore. “Dosja në rast se nuk vihet përpara përgjegjësisë Ergys Agasi, Ermal Beqiri, Armand Frangu, Linda Rama, mbetet një dosje kallp”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.

Siç pohoi në konferencë për mediat, drejtoresha e AKSHI-t ka shkelur ligjin që tenderat t’i merrnin persona të afërt me Ramën, madje sipas tij ka dhe përgjime që e vërtetojnë këtë akuzë. “Kjo që shihni ju, ka zhvilluar 250 tendera sekretë dhe kontrata sekrete, në kundërshtim flagrant me çdo ligj, përveç ligjit që duhet të vjedhë familja Rama. Ligji që tenderat duhet t’i marrë familja Rama”.

Dosja e këtyre tenderave është dërguar në SPAK nga PD, pohoi Berisha, por akuzoi kreun në ikje të kësaj prokurorie, Altin Dumani, se ka tentuar që të asgjësojë dokumentet. “Dumani donte ta zhdukte, ta asgjësonte”.

Berisha është i bindur se Ergys Agasi nuk do të arrestohet, pasi pohon se është arratisur në Dubai dhe për këtë akuzon Edi Ramën, Vlora Hysenin dhe Altin Dumanin që mund t’i kenë dhënë informacion që të largohej nga vendi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos