
"Shqipëria beson fort se nën udhëheqjen greke të Presidencës së BE, Ballkani Perëndimor do të mbetet në krye të agjendës europiane". Kështu u shpreh ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, gjatë takimit me Presidentin e Greqisë, Konstantinos Tassoulas në Athinë.
"Ne e shohim zgjerimin si një investim strategjik në stabilitet, mundësi dhe konsolidim demokratik, veçanërisht ndërsa Greqia përgatitet për Presidencën e Këshillit të BE-së në vitin 2027", tha Spiropali.
Ministrja shtoi gjithashtu se "marrëdhëniet shqiptaro-greke, të ndërtuara mbi lidhje të forta njerëzore, duhet të vazhdojnë të zhvillohen në frymë të mirë, të lidhura nga interesat tona të përbashkëta strategjike, partneriteti i ngushtë në NATO dhe perspektiva e përbashkët evropiane".
Nga ana e tij presidenti Tassoulas përgëzoi Ministren për investimin në reformat serioze që kanë shtyrë përpara progresin dhe zhvillimin e Shqipërisë, duke e afruar vendin me objektivin strategjik për integrim në BE.
Ministrja Spiropali vlerësoi gjithashtu edhe bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe rolin e Greqisë si partneri kryesor ekonomik i Shqipërisë. (A2 Televizion)