“Ja çfarë i thashë Nokës në mbledhjen e kryesisë! Pse u zumë edhe për Avokatin e Popullit”

Nga A2 CNN
16 Dhjetor 2025, 14:20 | Politikë

Bislim Ahmetaj, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike, ka zbuluar në emisionin Puls me Bruna Çifligun në A2 CNN detaje nga debatet e forta të zhvilluara brenda drejtimit të PD-së, duke theksuar se përplasja me sekretarin e përgjithshëm Flamur Noka lidhet me nevojën për ndryshim dhe rifitim të besimit brenda partisë.

Ahmetaj u shpreh se në mbledhjet e fundit të kryesisë ka qenë i drejtpërdrejtë, duke kërkuar shkarkimin e disa drejtuesve politikë në qarqe dhe zëvendësimin e tyre me figura që gëzojnë besueshmëri te demokratët. Sipas tij, Flamur Noka “ka humbur besueshmërinë” dhe perceptimi për rolin e sekretarit të përgjithshëm nuk është pozitiv te një pjesë e madhe e anëtarësisë. “Sekretari i përgjithshëm është një peshë shumë e rëndë dhe kërkon një figurë të hapur, koherente dhe gjithëpërfshirëse”, theksoi Ahmetaj.

Ahmetaj vlerësoi gjestin e nënkryetarit Agron Gjekmarkaj, i cili propozoi dorëheqjen si akt qytetar dhe institucional, por që sipas tij nuk u pranua dhe as u diskutua seriozisht. “Partia nuk e njeh institucionin e dorëheqjes, ndërkohë që ky akt çliron energji pozitive dhe krijon besim te qindra mijëra demokratë”, u shpreh ai.

Ahmetaj theksoi se dorëheqja është akt individual dhe përgjegjësi personale, duke sjellë si shembull dorëheqjen e tij të mëparshme nga drejtimi i një grupimi politik. Sipas tij, PD ka nevojë për një “frymëmarrje të jashtëzakonshme”, pasi përfaqëson rreth 600 mijë votues në opozitë.

Një tjetër pikë e fortë e debatit në kryesi ishte edhe çështja e Avokatit të Popullit. “Këta e konsiderojnë aksesor, është institucion shumë i rëndësishme që nga emri dhe që nga puna. Pse s’e ka bërë punën kurrë është histori tjetër, se këtu s’bën punë askush, por po ta bëjë punën, Avokati i Popullit është një referencë e jashtëzakonshme për ndërkombëtarët, është një referencë e jashtëzakonshme për qytetarët”, tha Ahmetaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos