Zhvillohet konferenca e VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit

Nga A2 CNN
16 Dhjetor 2025, 13:02 | Politikë

Zhvillohet konferenca e VII Kombëtare për të Drejtën e

Në përmbyllje të Javës së Integritetit 2025, u zhvillua sot Konferenca e VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit, me temë “Agora e transparencës në kohën e integrimit”, e organizuar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Konferenca shërbeu si një platformë kombëtare dialogu mbi sfidat e transparencës institucionale në kuadër të procesit të integrimit evropian, duke vënë theksin në rolin mbikëqyrës të Komisionerit, përgjegjësinë e institucioneve publike dhe forcimin e llogaridhënies ndaj qytetarëve.

Në aktivitet morën pjesë Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Edi Rama, përfaqësues të trupit diplomatik, institucioneve qendrore dhe vendore, autoriteteve të pavarura, sistemit të drejtësisë, shoqërisë civile dhe medias.

Gjatë fjalës së tij, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, theksoi se transparenca përbën një nga shtyllat themelore të qeverisjes së mirë dhe është një element thelbësor për ndërtimin e besimit mes institucioneve dhe publikut. Ai theksoi se transparenca nuk duhet kuptuar thjesht si publikim dokumentesh, por si një kulturë pune, e cila nxit integritetin, përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien në çdo hallkë të administratës publike.

Zhvillohet konferenca e VII Kombëtare për të Drejtën e

Duke iu referuar Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2025, Komisioneri Dervishi vuri në dukje se Ligji “Për të Drejtën e Informimit” në Shqipëri është në përputhje të gjerë me standardet evropiane, por zbatimi praktik i tij mbetet i paqëndrueshëm, autoritetet publike vijojnë, në jo pak raste, të përdorin justifikime të përgjithshme dhe të paarsyetuara lidhur me “interesin publik” për të refuzuar kërkesat për informacion, pa respektuar parimin e proporcionalitetit dhe pa dhënë arsyetim të mjaftueshëm ligjor.

Komisioneri Dervishi evidentoi si problematikë kryesore mosrespektimin e afateve ligjore për kthimin e përgjigjeve, interpretimit të gabuar të kufizimeve ligjore, por shpesh edhe për shkak të neglizhencës.

Ai vuri gjithashtu theksin te dispozitat e panevojshme të konfidencialitetit, ndryshimet e shpeshta të koordinatorëve për informim dhe mangësitë në organizimin e strukturave të  brendshme institucionale për publikimin e informacionit të përditësuar në faqet zyrtare.

Zhvillohet konferenca e VII Kombëtare për të Drejtën e

Kryeministri Edi Rama i cili ishte i pranishëm në event tha se bazuar në vlerësimet e autoriteteve ndërkombëtare që ndjekin performancën e institucioneve shqiptare, Shqipëria ka tashmë një arkitekturë funksionale dhe të qëndrueshme për transparencën. Megjithatë ai shtoi se institucionet shqiptare duhet të sanksionohen nëse nuk kthejnë përgjigje brenda afatit të përcaktuar në ligj.

“Ligji është shumë i qartë – 10 ditë është koha për t'u përgjigjur, pavarësisht se 10 ditë mund të jenë shumë për intensitetin me të cilin zhvillohet sot bota e informacionit, ditën e 11 në qoftë se nuk ka përgjigje, ka sanksion apo jo? Kështu thotë ligji dhe duhet sanksionuar autoriteti më i lartë përgjegjës. Ne i kemi kërkuar të gjithë ministrave të bëjnë delegimin e kësaj përgjegjësie tek sekretarët e përgjithshëm, një pjesë e kanë bërë, një pjesë nuk e kanë bërë akoma. Duhet të sanksionohen ministrat, duhet të sanksionohen sekretarët e përgjithshëm në ditën e 11-të. Dhe në qoftë se kjo do të ndodhi në mënyrë të përsëritur disa herë, unë jam i bindur që do të krijohet një ndjesi urgjence e barabartë me urgjencën me të cilën punon sektori i gotës gjysmë bosh. Dhe kështu, gota gjysmë plotë me gotën gjysmë bosh do të kenë një ndërveprim më të shpejtë, besoj unë, por duhen vendosur sanksionet”, tha Rama.

Zhvillohet konferenca e VII Kombëtare për të Drejtën e

“Mos harroni që kur e kemi nisur këtë proces qeverisje kishim problem të madh parkimin e paligjshëm të gjithë deputeteve të Kuvendit të Shqipërisë mbi gjithë trotuaret e mundshëm dhe mbi të gjitha lulishtet dhe hapësirat publike rreth e rrotull parlamentit. Ku janë sot? Pse nuk ka asnjë që parkon atje? Sepse u vendosen sanksione. U gjobitën deputetet disa herë me radhe dhe kuptuan që loja e parkimit të paligjshëm mbaroi ose nuk ka më makina ministrash që shkelin semaforin sepse u gjobitën ministrat për shkeljen e semaforit dhe kështu ndamë me shoferet shqetësimin, që shoferët duhet të lëviznin normalisht si gjithë shoferët e tjerë dhe të mos ndiheshin me krahë për faktin që kishin mbrapa një ministër. Dhe sanksionet në këtë rast mbase nuk do kenë të njëjtin efekt çudibërës që patën në dy rastet që përmenda që janë shumë konkrete por do kenë efektin e tyre”. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos