Deputeti i Partisë Demokratike, Isuf Çelaj, i ka bërë thirrje autoriteteve që të ndërhyjnë për të riparuar një urë të prishur në Tropojë, e cila lidh 6 fshatra me shkollën e vetme në Lekbibaj.
“Ura e Lumit të Vogël nuk është thjesht një urë – është lidhja jetike e gjashtë fshatrave me shkollën e vetme 1–12 në Lekbibaj. Fëmijët ecin 6 km për të shkuar në shkollë dhe 6 km për t’u kthyer, çdo ditë. Ura u dëmtua pjesërisht që më 18 janar 2024, dhe deri sot Bashkia Tropojë nuk ka marrë asnjë masë për rindërtimin e saj, këto ditë të reshjeve ajo u shkatërrua plotësisht”, thotë Çelaj, përcjell A2 CNN.
“I bëj thirrje Bashkisë Tropojë, Prefekturës Kukës dhe Agjencisë Kombëtare të Emergjencave të Ministrisë së Mbrojtjes: Ndërhyni menjëherë! Kjo urë është shpresa dhe siguria e qindra banorëve të Nikaj–Merturit, ta bëni këtë të paktën për ata vogëlushë që mos të rrezikojnë jetët e tyre për të shkuar në shkollë!!!”. (A2 Televizion)
