Pezullimi i Ballukut në "kushtetuese", Qeveria: Prek interesa shtetërore, cenohen negociatat me BE

Nga Marjo Brakaj
25 Nëntor 2025, 23:14 | Politikë

“Pezullimi është një vendim i një gjykate që ne do ta përcjellim në Gjykatën Kushtetuese si një akt brutal ndërhyrje në pavarësinë e pushtetit ekzekutiv”.

Me firmë të kryeministrit Edi Rama, më 21 nëntor Këshilli i Ministrave e ka çuar për apelim në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherazi zëvendëskryeministre, Belinda Balluku.

Katër janë kërkesat e qeverisë, që si fillim kërkon nga “Kushtetuesja” të ndajë se ku fillon e ku mbaron “pushteti i drejtësisë” nga njëra anë dhe “pavarësia e ekzekutivit” nga tjetra, shkruan A2.

“Këshilli i Ministrave kërkon nga Gjykata Kushtetuese që ta shfuqizojë këtë akt, duke zgjidhur njëkohësisht edhe mosmarrëveshjen e kompetencës së krijuar ndërmjet GJKKO-së dhe Kryeministrit, për shkak të faktit se GJKKO-ja, duke vendosur pezullimin e ushtrimit të detyrës së ministrit si organ kushtetues, duke krijuar de facto një situatë juridike të ngjashme me shkarkimin, dhe ka ndërhyrë në veprimtarinë funksionale të Këshillit të Ministrave dhe në kompetencën kushtetuese të Kryeministrit për të propozuar emërimin dhe shkarkimin e ministrit”.

Teksa nuk ankimohet vendimi tjetër, ai për ndalim të lëvizjes jashtë vendit, qeveria kërkon nga Gjykata Kushtetuese të zhbëjë vendimin e GJKKO për “pezullimin nga detyra” me argumentin se “ky vendim prek interesa të larta shtetërore”: “Lënia në fuqi e vendimit të GJKKO-së, objekt i kësaj kërkese, do të sillte pasoja të pariparueshme për qeverisjen e vendit, duke krijuar vakuum institucional, mosfunksionim të Këshillit të Ministrave dhe pamundësi për ushtrimin e përgjegjësive dhe të kompetencave që Kushtetuta e legjislacioni në fuqi i njeh ekskluzivisht pushtetit ekzekutiv. Theksojmë se pezullimi i një ministri apo zëvendëskryeministri, përveç që shkakton mosfunksionalizim të Këshillit të Ministrave, si një organ kolegjial i pushtetit ekzekutiv, njëkohësisht e pezullon veprimtarinë e pushtetit ekzekutiv në fushën e përgjegjësisë të ministrit dhe të zëvendëskryeministrit të pezulluar”.

Pezullimi nga detyra i ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherazi zëvendëskryeministre, Belinda Balluku, cenon negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, argumenton qeveria: “Mungesa e ushtrimit të pushtetit ekzekutiv, qoftë edhe në një fushë të përgjegjësisë, sjell pasoja të rënda për interesin shtetëror e shoqëror, duke krijuar vakuum institucional në realizimin e pushtetit ekzekutiv, por edhe të vetë pushtetit legjislativ, pasi pamundëson propozimin e projektakteve me rëndësi kombëtare për integrimin në Bashkimin Evropian, rreth 800 projektakte për të miratuar deri në fund të vitit 2027 nga ministria që udhëhiqet nga ministri i cili është pezulluar nëpërmjet vendimit të GJKKO-së”.

Për këtë kërkesë, Kushtetuesja ka caktuar relator të çështjes anëtarin e saj Sandër Beci, ndërsa pritet një shqyrtim me urgjencë për shkak të rëndësisë së veçantë, sidomos të vendimit të ndërmjetëm për pezullimin e efekteve të vendimit të GJKKO për pezullimin e Belinda Ballukut.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të shtunën më 22 nëntor të vazhdojë zbatimin e masave të sigurimit personal të caktuara ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për pezullim nga detyra dhe ndalim të daljes jashtë shtetit të saj, pas marrjes së pandehur nga ana e SPAK për shkelje të barazisë në tendera. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos