Beleri: Shqipëria nuk do të jetë pjesë e BE deri në vitin 2030, ligji i luftës nuk ekziston

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2025, 21:04 | Politikë

Eurodeputeti Fredi Beleri, në një lidhje me emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se nuk është e sigurt që Shqipëria do të anëtarësohet në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.

“Unë do kontribuoj aq sa mundem që Shqipëria të jetë pjesë e BE-së. A do jetë pjesë Shqipëria e familjes europiane në vitin 2030? Nuk mund ta them me siguri. Unë besoj se nuk do të jetë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me reformat në Shqipëri që nuk po kryhen, por ka të bëjë edhe me vetë BE-në. Nuk është e sigurt që BE-ja kërkon zgjerimin e saj. Nuk duhet të hiqni kurrë nga mendja që mund të mos ketë zgjerim deri në 2030. Serbia i ka hapur dhe mbyllur kapitujt shumë para nesh dhe nuk do futet. Shqipëria është Europë nga ana kulturore dhe gjeografike, ndërsa politika duhet të marrë përgjegjësitë e veta pse nuk jemi pjesë e Bashkimit Europian”, tha Beleri.

Sa i përket ligjit të luftës me Greqinë, Beleri u shpreh: “Për shtetin shqiptar, ligji i luftës nuk ekziston. Qeveria shqiptare e bën shpesh kërkesën për heqjen e ligjit të luftës nga Greqia, për mua është absurde që ekziston ende ky ligj lufte. “De facto” nuk ekziston ky ligj sepse kemi marrëdhënie me Greqinë, “de jure” ekziston dhe besoj se në të dyja marrëveshjet që u prishën ishte gati zgjidhja. Edhe tani besoj që është në paketë heqja e ligjit të luftës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos