Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Turqisë, Reccep Tayip Erdogan, pasi nënshkruan marrëveshjet mes dy vendeve, dolën me një deklaratë të përbashkët.
Fillimisht, Erdogan theksoi se po vijojnë përpjekjet për të rritur vëllimin tregtar mes Shqipërisë dhe Turqisë.
“Jam i nderuar që jam në vendin mik dhe vëllazëror, Shqipërinë. Marrëdhëniet tona shtrihen përtej një shekulli. Sot, e thelluam më tej partneritetin tonë strategjik. Shkëmbyem pikëpamje të hollësishme mbi fushat e bashkëpunimit të përcaktuara më parë. Konfirmuam vullnetin për të avancuar bashkëpunimin tonë me 3 marrëveshjet e nënshkruara. Vijojmë përpjektet për të rritur vëllimin tregtar”, tha Erdogan.
Më pas, A2 raoporton se Erdogan vuri theksin te lufta ndaj FETO-s dhe presioni ndaj Izraelit: “Diskutuam edhe luftën e përbashkët kundër organizatës terroriste FETO. Shpresoj ta vazhdojmë këtë luftë në mënyrë efektive me vendimet që kemi marrë sot. Ndjekim me admirim përpjekjet e Shqipërisë për të vendosur paqe. Mizoritë e Izraelit ishin një ndër pikat e diskutimet. Agresionet e qeverisë Netanyahu janë bërë kërcënim për rendin global. Gjenocidi në Gazë është turpi i përbashkët i të gjithë njerëzimit. Prandaj ne duhet të ofrojmë ndihma humanitare dhe të bëjmë presion ndaj Izraelit. Unë besoj se Shqipëria do të bëjë pjesën e saj", raporton A2.
Në fund, Erdogan foli edhe për inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë.
"Sot do të hapim Xhaminë e Namazgjasë. Falenderoj të gjithë ata që kontribuan në xhaminë më të madhe në Ballkan. Falenderoj miqtë tanë shqiptarë dhe veçanërisht kryeministrin Rama. Hapat para që do të hedhim shpresoj të jenë të dobishme për të dyja vendet tona", deklaroi Erdogan. (A2 Televizion)