
Pas gati 2 muajsh bojkot të seancave në Gjykatën e Posaçme, nga e hëna, avokatët do të kthehen në sallat e kësaj gjykate. Dhoma Kombëtare e Avokatisë vendosi të premten t’i japë fund bojkotit të nisur si kundërshti e avokatëve ndaj rregullores së brendshme të Gjykatës së Posaçme.
Ndonëse avokatët vijojnë të jenë kundër rregullorës, ata kanë vendosur të pezullojnë bojkotin, për shkak të një vendimi të Apelit Administrativ të 28 tetorit, që pezulloi vendimin e avokatëve për bojkot. Vendimi u mor pas një mbledhjeje të pazakontë të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Ndonëse deklaruan për të ndërprerë bojkotin, avokatët do të ndjekin rrugën ligjore për kundërshtimin e rregullores, që u bë “strumbullar” i ngërçit që kaploi gjykatën për dy muaj.
Dhoma kombëtar e avokatisë do të kërkojë shfuqizimin e saj në Gjykatën Administrative të Apelit. Njëherazi avokatët do të kërkojnë si masë sigurie pezullimin e efekteve të rregullores deri në shqyrtimin e çështjes në themel. (A2 Televizion)