“Erozion në qeveri”, Dervishi: Lëvizje të vonuara mes krizës me drejtësinë dhe sfidës së integrimit

Nga A2 CNN
26 Shkurt 2026, 21:52 | Politikë

Gazetari Lutfi Dervishi, në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, e cilësoi valën e fundit të ndryshimeve në qeveri si të vonuara, të bëra nën presion dhe me kosto të lartë politike. Ai përdori metaforën e “erozionit” për të përshkruar situatën, duke thënë se “kanë rënë shtatë ministra”, por thelbi i qeverisjes ka mbetur i njëjtë. Sipas tij, lëvizjet në kabinet nuk janë rezultat i një analize të qetë performancash, por pasojë direkte e krizës së krijuar nga përplasja me drejtësinë dhe akuzat për korrupsion.

Dervishi theksoi se ndryshimet ndodhën vetëm pesë muaj pas marrjes së mandatit, çka, sipas tij, tregon tronditje të brendshme dhe mungesë stabiliteti. Ai kritikoi mënyrën e komunikimit publik, duke nënvizuar paradoksin që ministrat flasin lirshëm për arritje dhe sfida, ndërsa më pas mësojnë se nuk janë më pjesë e kabinetit. Sipas tij, do të ishte më logjike që riorganizimi të shpallej qartë dhe të shoqërohej me një narrativë të qartë për përbërjen dhe drejtimin e ri të qeverisë.

Sa i përket integrimit europian, Dervishi e vlerësoi si pozitive që qeveria e mban Bashkimin Europian si “busull orientimi”, por theksoi se integrimi nuk është vetëm çështje përkthimi ligjesh, por standardesh konkrete, përfshirë standardin e përgjegjshmërisë dhe dorëheqjes së zyrtarëve. Ai ngriti pikëpyetje mbi mungesën e një kriteri të qartë se kur një zyrtar duhet të largohet: me nisjen e një hetimi, me ngritjen e një akuze apo me vendim gjykate.

Në analizën e tij, Dervishi u ndal edhe te raporti me drejtësinë. Sipas tij, është e papranueshme që reforma në drejtësi të konsiderohet sukses kur prek opozitën, por të vihet në dyshim kur afrohet te pushteti. Ai theksoi se SPAK dhe Gjykata Kundër Korrupsionit janë ngritur pikërisht për të hetuar korrupsionin në nivele të larta dhe se qeveria mund ta “linte SPAK-un pa punë” përmes mirëqeverisjes dhe zbatimit të kodeve etike që vetë ka miratuar.

Dervishi kritikoi gjithashtu mënyrën e realizimit të projekteve të mëdha infrastrukturore, duke theksuar mungesën e garës dhe pjesëmarrjes së kompanive të huaja në investimet miliardëshe. Ai paralajmëroi se “kapitalizmi i emëruar” dhe klientelizmi dëmtojnë standardet dhe besueshmërinë. Ai theksoi se qeveria nuk mund të jetë njëkohësisht edhe me drejtësinë edhe me zyrtarët nën hetim, pasi kjo krijon një kontradiktë të fortë politike dhe morale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos