Eurodeputeti Fredi Beleri deklaroi se ishte “deputeti më pro shqiptar” gjatë diskutimit në Parlamentin Europian, duke theksuar se problemet e Shqipërisë nuk duhen fshehur, por duhen adresuar për të çuar përpara integrimin europian.
Në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, Beleri u shpreh se reagimet pas fjalës së tij i kishte mësuar vetëm nga mediat shqiptare, por këmbënguli se qëndrimi i tij ka qenë në mbështetje të Shqipërisë dhe të ardhmes së saj në Bashkimin Europian. “Unë sot isha deputeti më pro shqiptar në atë diskutim. Thashë qartë që dua të shoh progres dhe Shqipërinë në BE. Duke i fshehur problemet nën rrogoz nuk e ndihmojmë vendin të anëtarësohet”, deklaroi ai.
Beleri theksoi se populli shqiptar dhe të gjitha partitë politike në vend janë në favor të integrimit europian, duke nënvizuar se Shqipëria ka fatin të mos ketë parti antiperëndimore. Sipas tij, shumica e qytetarëve duan anëtarësimin sa më parë në BE, por problem mbetet qeveria. “Unë besoj se qeveria nuk e do integrimin”, tha ai.
Eurodeputeti renditi disa nga çështjet që, sipas tij, tregojnë mungesë progresi: kthimin e pronave te pronarët e ligjshëm, mungesën e furnizimit 24 orë me ujë dhe energji elektrike në shumë zona, si dhe probleme me infrastrukturën. Ai shtoi se ndarja e pushteteve nuk po funksionon siç duhet dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama se mbron individë të caktuar përpara drejtësisë, duke penguar funksionimin e saj të pavarur.
“Këto nuk i thashë vetëm unë, por edhe folës të tjerë në Parlamentin Europian. Janë të vërteta që duhen pranuar. Vetëm përmes reformave reale Shqipëria mund të bëhet një vend normal dhe të anëtarësohet në BE”, tha Beleri. (A2 Televizion)