Politologu Afrim Krasniqi komentoi në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN ndryshimet e fundit në qeverinë Rama. Krasniqi thekson që Shqipëria e ka humbur sensin e respektit dhe etikës institucionale, duke shtuar se Spiropali dhe Vengu nuk e kanë ditur që do të shkarkohen. Ish-ministrja e Jashtme ka qenë në një vizitë në Kosovë, ndërsa ish-ministri i Mbrojtjes ndodhej në Hungari, thotë politologu.
“Është ndryshuar gjysma e kabinetit qeveritar dhe publiku në Shqipëri nuk ka informacion dhe ka ndryshuar disa kabinete që lidhen me sigurinë. Merrini me rezerva deklaratat kur kryeministri thotë po u lë në provë. Fakti që dje ministrja e Jashtme ishte në Kosovë dhe ministri i Mbrojtjes ishte dy ditët e fundit në Hungari për marrëveshje, do të thotë ata nuk e kanë ditur që do shkarkohen dhe s’ka qenë asnjëri prej tyre në provë. Kjo është një skemë se si bëhen ndryshimet në qeveri dhe ne duhet t’ia themi shqip dhe saktë si është reale, që Shqipëria ka humbur sensin e respektit dhe etikës institucionale për të ndryshuar kabinetin qeveritar dhe të përgjegjësisë. Vet z.Rama në fillim të mandatit të tij i ka premtuar publikut shqiptar që çdo ndryshim sa herë që të ndodhë do ketë argumente pse, dhe pse zgjidhet i riu”, tha Krasniqi. (A2 Televizion)