Procesi i integrimit u kthye në pikën kryesore të përplasjes politike në Kuvend. Opozita akuzoi qeverinë se korrupsioni dhe modeli i saj i qeverisjes po pengojnë avancimin drejt Bashkimit Europian, ndërsa mazhoranca këmbënguli se Shqipëria do të bëhet pjesë e Unionit brenda vitit 2030.
Pas debateve, socialistët pranuan që më 14 maj të zhvillohet një mocion me debat për integrimin.
Anëtarësimi në Bashkimin Europian dominoi debatin politik në sallën e parlamentit. Sipas opozitës, procesi është futur në stanjacion për shkak se avancimi drejt unionit është bllokuar dhe, për këtë, kërkoi nga parlamenti një mocion me debat.
"Qytetarët shqiptarë kanë nevojë të kuptojnë, të dëgjojnë, të marrin vesh sesi qeveria është kthyer në pengesën kryesore të integrimit, sesi korrupsioni, sesi vjedhja, sesi i gjithë modeli qeverisës është pengesa kryesore në procesin e integrimit.", tha Tabaku.
Qasja e shumicës në Kuvend vijon të mbetet e njëjtë: në 2030 Shqipëria do të jetë pjesë e Unionit, ndërsa kritikoi kundërshtarët në sallë për minim të procesit.
"Sot ju, dashnorët më të rinj të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, do t’ju jap një fakt që është më domethënës: e kemi filluar këtë legjislaturë në fund të shtatorit dhe prej asaj dite ja ku e kemi listën e plotë të ligjeve të përafrimit të legjislacionit, të përmbushjes së kritereve të parakushteve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, 23 ligje. Në asnjërin prej tyre nuk gjendet asnjë votë pro e juaja.", tha Balla.
Fjalët e Taulant Ballës nuk bindën demokratët, madje kryetari i tyre doli në foltore të akuzonte mazhorancën për bllokim të qëllimshëm të këtij procesi.
"Nuk respektoni as Kushtetutën e asnjë nen të rregullores së parlamentit. Si ka mundësi që të jeni kaq të dobët para ligjit, para Kushtetutës? Sigurisht që e shtytë debatin për integrimin. Nuk mund ta bënit, sepse ishte debati për Lubinë dhe ju nuk donit ta hapnit atë debat.", tha Tabaku.
Pas debateve, socialistët vendosën që në datën 14 maj të zhvillohet një mocion me debat për çështjen e integrimit. (A2 Televizion)