
Pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, nga gazetari Flamur Vezaj, që tregonte sesi të burgosurit në burgun e sigurisë së lartë, Lul Berisha, Fehmi Mziu, Islam Kasa alias Mitralozi, e të tjerë festonin në qeli me telefon, alkool e drogë, ka ardhur edhe reagimi i deputetit demokrat Belind Këlliçi. Në një postim në rrjetet sociale me titull “Kur Gogu fajëson Lamallarin!”, Këlliçi shprehet se kjo përforcon deklaratat e demokratëve që grupet kriminale janë të lidhura me qeverinë, raporton A2 CNN.
“Një video e publikuar nga gazetari Flamur Vezaj, tregon se si në shkelje të çdo rregulli, një bandë e lidhur me qeverinë bënte aheng në burg dhe posedonte çdo gjë që është e ndaluar dhe e paligjshme. Çdo gjë që ata e kanë zakonisht kur janë jashtë dhe në liri, e kishin dhe në atë qeli. Telefona, alkool, lëndë narkotike dhe ushtarë. Ky denoncim është në fakt konfirmim i asaj që njihet dhe ne e themi vazhdimisht, se grupet kriminale janë të lidhura me qeverinë dhe nuk i humbasin privilegjet edhe kur përfundojnë brenda. Brenda përfundojnë kryesisht për shkak të provave që sjellin agjencitë e vendeve partnere”.
Por sipas Këlliçit në reagimin e Drejtorisë së Burgjeve, në varësi të Ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, pas këtij skandali, theksohet se ngjarja ka ndodhur para marrjes së tij të detyrës, duke ia faturuar përgjegjësinë ish-ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari, çka sipas tij tregon një kalim e shmangie përgjegjësie.
“Por ka diçka që të bën përshtypje në reagimin e Drejtorisë së Burgjeve, pra të Ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, pas këtij skandali. Kujdesi i tij për të vënë theksin se kjo ngjarje ka ndodhur para Janarit. Pra ka ndodhur, përpara se ai të bëhej Ministër… Ai tregon me gisht se fajin e ka Lamallari, i cili, pas Ministrisë së Drejtësisë u gradua në Ministër i Brendshëm. Po të pyetet Lamallari, ai me gjasë do të thotë se ka ndodhur në kohën e Ulsiut. Ndërsa Ulsiu do ja pasonte paraardhësit. Duke shkuar te deviza e Edi Ramës, se dhe kjo ishte një tenxhere, dhe në fund si gjithmonë, fajin e ka Saliu!”, vijon deputeti demokrat, shkruan A2 CNN.
Sipas tij mosmbajtja e përgjegjësisë, i bën qeveritarët të duken edhe më qesharakë.
“Mosmbajtja e përgjegjësisë, mohimi i realitetit dhe mungesa e reflektimit nuk i bën qeveritarët të duken as engjëj, as të pafajshëm. Por i bën edhe më qesharakë, përpos se figurantë në një skemë të madhe, kur krimi që kishte koordinator në paradhomën e kryeministrit, patjetër se do të ketë privilegje edhe në burg, si pjesë e ndarjes dhe ushtrimit të pushtetit me Edi Ramën”.
(A2 Televizion)