Rusia është kërcënim i të gjithëve ne për shkak të sulmeve kibernetike dhe dezinformimit. Këtë bëri të ditur kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen në konferencën e përbashkët me homologun shqiptar Edi Rama, pas përfundimit të samitit. Duke vlerësuar mikpritjen shqiptare, ajo tha se ky samit është shumë i rëndësishëm në një kohë sfidash me të cilat po përballet Europa.
“Ka qenë mikpritje shumë të ngrohtë këtu në Shqipëri. Ky forum është i rëndësishëm se Evropa po përballet me një sërë sfidash dhe na duhet ky format kur kemi shtete që nuk janë anëtare në BE. Ne jemi të gatshëm të marrim stafetën dhe dua të theksoj se siguria do të jetë përparësi, pasi jetojmë në një botë të pasigurt, Rusia është kërcënim i të gjithëve ne për shkak të sulmeve kibernetike dhe dezinformimit. Po përpiqen të shkatërrojnë demokracinë”, tha Frederiksen, përcjell A2 CNN.
Kryeministrja daneze theksoi gjithashtu se “riarmatimi duhet të jetë prioriteti nr.1 i yni. Ata janë angazhuar për një armëpushim 30 ditor pa kushte, por s’kemi parë sinjale ende nga Rusia kështu që duhet të nxisim Rusinë duke shtuar më shumë sanksione për t’i dhënë fund luftës”.
Ndër të tjera, raporton A2 CNN ajo veçoi edhe konkurrueshmërinë e kompanive europiane për karburantet në mënyrë që të mos varen nga Rusia si edhe emigracionin.
“Konkurrueshmëria e kompanive tona është e rëndësishme dhe ne duhet t’i japim fund karburanteve, gazit e hidrokarbureve nga Rusia. Duhet të jemi konkurrentë që klientët në Evropë të kenë energji me kosto të ulët. Çështje tjetër është emigracioni, në pjesën tjetër ka qenë thuajse i pakontrolluar dhe pasojat janë të panumërta. Keni bërë punë vërtet të mirë “, tha ajo. (A2 Televizion)