Boçi për A2 CNN: Fatet e shqiptarëve nuk varen nga samitet, por nga vota e lirë që u vra

Nga A2 CNN
16 Maj 2025, 18:02 | Politikë

Boçi për A2 CNN: Fatet e shqiptarëve nuk varen nga samitet, por

Luçiano Boçi, në deklarata ekskluzive për A2 CNN, shpjegoi pse opozita vendosi të dalë në protestë ditën kur në Tiranë erdhën ndërkombëtarët për Samitin e Komunitetit Politik Europian.

“Jemi këtu për fatet e shqiptarëve dhe fatet nuk vijnë vetëm nga samitet me shoë, por fatet e shqiptarëve vendosen nga vota e lirë dhe kur kjo është vrarë, zëri duhet ngritur që ata (ndërkombëtarët) ta marrin vesh mirë dhe jo të sodisin ato zhgarravinat e atij kryehajdutit që i ulet në gjunjë kujtdo që i del përpara, vetëm e vetëm se i sigurojnë pushtetin”, tha Boçi.

“Në një samit të përllogaritur direkt pas zgjedhjeve, ndërkombëtarët do të bëjnë llogaritë e tyre, por e vërteta është këtu. Tek e fundit, çfarë na ka sjellë samiti? Propozime për t’u bërë burg emigrantësh neve. Rama nuk duhet lënë më në pushtet pasi është pikëpyetje e madhe për vendin”, shtoi Boçi.

Kur u pyet nga gazetari i A2 se si do e largojë opozita Ramën nga pushteti, Boçi u përgjigj: “Ne e kemi mbrojtur votën sipas ligjit me njerëzit tanë, por ne nuk i shkojmë dot mbrapa këtyre që blejnë votën. E mbrojtëm votën gjatë komisionimit të saj, por kur bëhet “treni bullgar” te klubi afër, çfarë të bëjë komisioneri? Ne kemi bërë denoncimet tona dhe ende nuk janë marrë në konsideratë. Ne nuk jemi hetues dhe as policë, jemi politikanë që kemi bërë detyrën tonë me denoncime, por organet në shërbim të Edi Ramës nuk ka marrë masat e duhura. Pasi del rezultati, gjoja veprojnë”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos