Fushatat elektorale nuk zhvillohen më vetëm në mitingje apo në ekranin e televizorit. Zgjedhjet e 2025 dëshmuan se beteja për votën u zhvillua jo pak edhe në rrjetet sociale, aty ku votuesit informohen, komentojnë dhe mund të ndikohen.
Por, cilat janë platformat që përdorën më së shumti politikanët këtë fushatë?
Ana Kekezi, eksperte marketingu, u shpreh për A2 CNN: “Duke qenë se TikTok-u u bë “ban”, pra u mbyll për 1 vit nga qeveria, na ngeli vetëm Facebook dhe Instagram. Edhe pse kemi edhe YouTube si një opsion. Dominon Facebook-u. Kur them dominon Facebook-u, flas këtu për të gjitha grupmposhat”.
E në luftën për vëmendjen “online”, duket se mjeti shpesh justifikon qëllimin. Nga debatet në distancë, videot virale, memet, kjo fushatë zgjedhore duket se pati pak nga gjithçka që platformat “online” mund të të mundësojnë.
“Për ato video të cilat janë bërë virale me qëllim, pra janë të mirëmenduara, kërkojnë thjesht vëmendje. Njerëzit e duan më shumë këtë, por jo vetëm njerëzit, por edhe algoritmet. Algoritmet përgjithësisht i japin përparësi videove apo reels-ave apo postimeve me emocion, me ndryshim dhe ato të cilat që në momentet e para marrin një angazhim të madh siç mund të jenë like, share apo komente. Ajo që vihet re është se duke qenë se kemi shumë meme, video negative, video virale, duket sikur kemi një shpërqendrim nga mungesa e programit. Me duket sikur duan që votuesi apo qytetari të ngelet i painformuar. Më duket qëllim në vetvete”, shpjegon Kekezi.
Por, a përkthehen shifrat e klikimeve, shareve apo likeve në votë?
“Postimet mua më nxisin të shkoj të votoj. Pra, kjo ndodh. Por, jo të më ndërrojnë votën. Nuk janë postimet e rrjeteve sociale apo klikimet që mua më ndërrojnë votën, sepse është shumë e vështirë që në muajin e fundit, t’i ndërrosh votën dikujt por ama, mua më nxit të shkopj të votoj.
Ashtu si fushatat tradicionale, edhe fushatat online kanë shpenzime të cilat monitorohen”, tha Ervin Koçi, gazetar i A2 CNN.
Fushata online, përsa i përket shpenzimeve është në monitorim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për shkak se përkon me shpenzimet e partive politike në zgjedhje, të cilat kanë një tavan të caktuar se deri ku mund të shkojë ky shpenzim i partive politike në zgjedhjet parlamentare. Si të tilla, shpenzimi apo sponsorizimi i materialeve të caktuara në rrjetet sociale është pjesë e monitorimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në bazë të ligjit për partitë politike, në bazë të ndryshimeve që bën Kodi Zgjedhor.
Por, ky monitorim, duket se mungon nëse flasim për aspektin e përmbajtjes.
“Është më shumë çështje monitorimi nga ana e Autoritetit të Mediave Audiovizive, që për hir të së vërtetës, deri më tani, bën monitorimin e materialeve që transmetohen vetëm në televizion, jo materialeve që publikohen në rrjete sociale. Në aspektin etik, pasi kemi dëgjuar shumë fjalë të cilat nuk është se i shkojnë për shtat gjuhës etike dhe politike në vend, është më shumë në vullnetin e partive politike. Edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vetë Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, sa herë që është pyetur për këtë çështje është shprehur se detyra e tij mund të jetë vetëm këshillimore, pasi dhe aspekti juridik dhe aspekti legjislativ, të organizimit të proceseve elektorale nuk parashikon kompetenca të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të vendosur masa apo sanksione administrative ndaj personave të cilët përdorin gjuhë fyese, urrejtjeje apo seksiste në fushatë elektorale. Diçka që ne nuk e kemi dhe shteti i Kosovës e ka. Mund të jetë pjesë e ndryshimeve në të ardhmen të Kodit Zgjedhor, por, siç përmenda është pjesë e të ardhmes pasi ajo se çfarë ndodhi deri më tani, në këtë proces elektoral, e kemi parë që nuk ishte ndër më të mirat”, tha Koçi.
Ndërsa teknologjia ndryshon mënyrën si bëhet fushata, sfida mbetet e njëjtë: të fitosh vëmendjen, të ndërtosh besimin dhe në fund të marrësh votën. Se sa e kanë arritur partitë politike këtë herë, pedagogia na tregon notat sipas saj: “Pra, janë vërtet të gjitha shumë të mira por, padyshim, për mua çdo parti dhe çdo kandidat do të merrnin një A+ në mënyrën se si ato e bëjnë fushatën apo sesi ato aplikojnë marketingun digjital dhe do të merrnin një D+ ose mbase një C në atë se si ne na mungon real politika”. (A2 Televizion)