Salianji shpall kandidaturën për kreun e PD: Nuk ndalem pavarësisht farsës

Nga A2 CNN
29 Prill 2026, 22:34 | Politikë

Salianji shpall kandidaturën për kreun e PD: Nuk ndalem

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka njoftuar se do të depozitojë kërkesën për të kandiduar për kryetar të Partia Demokratike e Shqipërisë, një ditë para afatit përfundimtar për dorëzimin e kandidaturave.

Në një reagim në rrjetet sociale, Salianji shprehet se, pavarësisht asaj që e cilëson si “farsë”, ai nuk do të tërhiqet nga gara, shkruan A2CNN.

Ai shton se frymëzohet nga modeli i demokracisë perëndimore dhe synon të kontribuojë në demokratizimin e Partisë Demokratike.

REAGIMI:

“Dielli lind andej nga perëndon” na mëson Naim Frashëri.

Drita, përparimi, qytetërimi dhe demokracia vijnë nga Perëndimi. Prandaj shqiptarët e kanë vendosur që dijen dhe kulturën e marrin nga bota e përparuar.

Modeli i demokracisë perëndimore më frymëzon dhe nuk do të ndalem në luftën për të lënë pas të shkuarën e për ta demokratizuar Partinë Demokratike.

Ironi e fortë: në ditën kur shpallet uzurpimi dhe shkallmimi i rregullave demokratike, ndodhem aty ku lindi Magna Carta, në tempullin e demokracisë.

Pavarësisht farsës, nesër depozitoj kërkesën për të kandiduar për kryetar të Partisë Demokratike të Shqipërisë

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos