Gazetari Armir Shkurti kritikoi mënyrën se si deputetët u flasin funksionarëve shtetërorë në Parlament.
“E keni vënë re se si deputetët i flasin funksionarëve shtetërorë që vijnë aty, si t'i kenë qehajaj. “Ku e ke ti atë? Se e ke bërë ti këtë ligjin, ë? Kush ta ka dhënë ty këtë?”. Si nga pushteti, ashtu dhe nga opozita. Keni parë që flasin si gangsterë?”, tha Shkurti në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Politika që duhet të bëhej jashtë nuk ka front tjetër, vetëm ka atë Big Brotherin me kamera, ku publiku shqiptar ka mundësinë masivisht të shohë se çunat tanë trima që kemi çuar në Parlament e çajnë rrjetin. Këtë mendoj unë. Kur të ikin kamerat nga Parlamenti mund të fillojë ndoshta të bëhet një politikë ndryshe”, shtoi gazetari.
Ndërsa Petro Koçi shpjegoi se çfarë ka ndryshuar në jetën parlamentare.
“Unë u riktheva në Parlament pas 12 vitesh mungesë dhe çfarë kishte ndryshuar nuk qe seanca, ishte komisioni parlamentar. Dikur nuk kishte transmetim online dhe unë mbaj mend ne shqyrtonim projektligjin. Unë kam qenë në opozitë. Na ka ardhur pas 2005-ës, kur ishte Sali Berisha në pushtet, erdhi ligji për Policinë e Shtetit. Kam qenë nënkryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare. E kemi marrë atë ligjin në çdo presje, pothuajse e kemi ndryshuar. Kaq seriozë kemi qenë, edhe ne të opozitës. Kuptohet që pjesa që ishte me natyrë politike nuk ndryshonte dot. Por, e kemi marrë ligjin dhe e kemi parë presje për presje. Tani ka transmetim online edhe në komisione. Dhe çfarë ndodh? Unë, në vend që të flas për ligjin e të merrem ta lexoj atje, them kjo duhet ndryshuar kështu. Aty duhet bërë edhe pak politikë, por komisioni është më teknik. Sot nuk është më teknik komisioni”, shpjegoi Koçi. (A2 Televizion)