Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës vijon të mbetet pezull në mungesë të dërgimit të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Gjykatë Kushtetuese.
Më 2024, aplikimi i Kosovës mori miratimin e Asamblesë Parlamentare por nuk u fut në rend dite në Komitetin e Ministrave. Atë kohë Kosova u ofrua të hartonte një statut tjetër por nuk u mor parasysh.
Gjatë vitit të kaluar, nuk pati asnjë progres për shkak të krizës institucionale.
“Ne vitin e kaluar kemi humbur shansin duke mos pasur qeveri legjitime dhe legale dhe Kuvend funksional që të aplikojmë në Këshillin e Europës për t'u anëtarësuar në këtë organ të rëndësishëm të nivelit europian”, deklaroi Naim Jakaj, IDK.
Këtë vit, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës do të mblidhet më 14 dhe 15 maj në Moldavi. Në agjendën fillestare të dakorduar më 8 prill, në rend dite nuk është anëtarësimi i Kosovës, por ajo mund të plotësohet.
Në takimin mes kryeministrit Albin Kurti dhe të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun Peter Sorensen, është diskutuar dhe çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës. Megjithatë nga Qeveria e Kosovës nuk kanë bërë të ditur nëse themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet kusht kryesor për avancimin e statusit të Kosovës në këtë organizatë.
Javë më parë, Kurti gjithashtu takoi edhe presidentin francez Emanuel Macron. Paraprakisht, ai pranoi të bëjë disa ndryshime të rëndësishme në Ligjin për të Huajt dhe në atë për Automjetet, që prekin komunitetin serb.
Kjo po shihet si një sinjal se Kurti mund të ketë marrë mbështetje apo premtime, nëse vazhdon të zbatojë obligimet nga dialogu.
“Kjo për ligjin për të huaj, domethënë koncesioni që bëri ndaj tyre, ka dhënë sinjal se ndoshta, ‘unë po flas kështu, por do t'i kryej obligimet’. Nëse me të vërtetë ka arritur që t'i bindë, në këtë funksion ishte edhe takimi që ishte me Macron-in, nuk do të isha befasuar që Bashkimi Evropian do me bë një hap më shumë për Kosovën në mënyrë që Kosova t'i kryejë obligimet e veta”, u shpreh Avni Arifi, njohës i çështjeve politike.
Kosova rrezikon sërish të shkojë në zgjedhje të reja në rast se nuk zgjidhet presidenti. Qeveria ka mandatin ligjor dhe Parlamenti do të jetë në detyrë deri më 28 prill nëse dështon votimi për kreun e shtetit.
Pas kësaj date dhe pa institucione me mandat ligjor, vlerësohet si e vështirë për Kosovën që të ndërmarr ndonjë hap për anëtarësim.
“Nuk ka shans që qeveri jolegjitime edhe jolegale ta dërgojë një draft [v.j. të statutit të Asociacionit] të tillë në Gjykatën Kushtetuese. Automatikisht Gjykata do ta rrëzonte si kërkesë të papranueshme. Rrjedhimisht ne nuk do të mund pastaj të jemi në pikë të rendit të ditës në mbledhjen e Komitetit të Ministrave dhe në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare”, tha Naim Jakaj, IDK.
Kosova gjithashtu ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Europian në dhjetor të vitit 2022, por deri më tani kjo kërkesë nuk është shqyrtuar. (A2 Televizion)