Qeveria rrit mbështetjen financiare për sportistët, dieta ushqimore shkon në 5000 lekë në ditë

Nga A2 CNN
24 Prill 2026, 10:21 | Politikë

Qeveria shqiptare ka miratuar një vendim këtë të premte, sipas të cilit rriten ndjeshëm shpërblimet për sportistët dhe trajnerët e tyre, raporton A2 CNN.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, tha se ky vendim nis nga prilli 2006 dhe garanton shpërblim më të drejtë.

“Rritet në 70% të masës së shpërblimit mbështetja për sportet jo olimpike. Rritet me 43% trajtimi ushqimor ditor për sportistët elitarë, që shkon në 5000 lekë të reja”, tha Gonxhja në një konferencë për mediat pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë.

Shpërblimet rriten edhe për peshëngritjen. “Do të kemi rritje deri në 65% për stile të veçanta dhe rritje deri në 100% për rezultatin përfundimtar”, tha Gonxhja. Gjithashtu është rritur deri në 200% shpërblimi për disa kategori rezultatesh deri në kampionate europiane, ndërsa do të ketë rritje 100% për kategoritë e sporteve në Lojërat Olimpike dhe Kampionate Botërore.

Gonxhja gjithashtu njoftoi se me rastin e Ditës së Europës, më 9 maj, në Tiranë do të zhvillohet një koncert ku orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar do ta drejtojë Andrea Morricone, i biri i kompozitorit të madh italian Ennio Morricone. Koncerti do të zhvillohet në Sheshin Italia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos