Gonzato korrigjon Kos: BE kushtëzon integrimin me zgjedhjet e lira

Nga Ervin Koçi
3 Dhjetor 2025, 15:01 | Politikë

Gonzato korrigjon Kos: BE kushtëzon integrimin me zgjedhjet e lira

“Zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme”. Ky pohim i eurokomisioneres Marta Kos trazoi politikën e Tiranës për disa javë, ndaj qëndrimi zyrtar i Brukselit mbi procesin elektoral të 11 majit u nënvizua në mënyrë të detajuar nga ambasadori Silvio Gonzato, gati si një korrigjim i zyrtares së BE-së.

“Të gjitha këto janë rekomandime të raportit final të OSBE/ODIHR, i cili evidentoi sfida të rëndësishme,  nga keqpërdorimi i burimeve shtetërore te kushtet e pabarabarta të fushatës, mbikëqyrja e kufizuar dhe nevoja për të forcuar më tej neutralitetin institucional dhe transparencën në financimin politik. Adresimi i këtyre çështjeve është thelbësor jo vetëm për përmirësimin e zgjedhjeve të ardhshme, por edhe për përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE”, tha Gonzato, shkruan A2 CNN.

Kjo thirrje e kreut të delegacionit të BE-së u bë gjatë tryezës të organizuar në kuadër të reformës zgjedhore, dedikuar veçanërisht financimit të partive politike. Ilirjan Celibashi kishte dalë me një listë rekomandimesh, dhe ajo që bëri më shumë zhurmë lidhej me sanksionet e propozuara ndaj partive politike.

“Partitë që nuk raportojnë, nuk marrin pjesë në zgjedhje dhe, nëse kanë marrë financim nga buxheti i shtetit, do të duhet të përballen edhe me sanksione financiare. Marrja pjesërisht e këtyre partive në zgjedhje do të duhet të lejohet vetëm në kushtet e depozitimit të raporteve financiare të padepozituara dhe të pagimit të sanksioneve financiare kur është rasti”, tha Celibashi.

Këto ndryshime duhet të miratohen nga politika, e cila përfaqësohej në tryezë me dy bashkëkryetarët e komisionit të reformës zgjedhore, ulur krah njëri-tjetrit. Por këtë herë, konsensusi është më shumë dëshirë sesa domosdoshmëri, pasi socialistët kanë numrat e nevojshëm për të miratuar ndryshimet.

“Bashkëpunimi është i vështirë, pasi ka ligje që prekin interesat e partive politike. Në fund të fundit, duhet ta kemi këtë ligj sa më parë të jetë e mundur, pa e lodhur me lidhje të tjera. Konsensusi politik është shumë i vështirë dhe, sa më shumë t’i afrohemi datës së zgjedhjeve pa një marrëveshje për reformë zgjedhore, gjë që edhe mund të ndodhë, për shkak të nevojës së një bllok skeme, ne lëmë gjithçka pa rregulluar”, tha Gjiknuri.

Kolegu i tij, rivali demokrat Oerd Bylykbashi, ishte më i drejtpërdrejtë me fenomenet elektorale shqiptare, duke ngritur si shqetësim financimet e dyshimta të partive politike.

“Çështja e parë që duhet parë janë burimet e financimit të partive: a janë të mjaftueshme dhe të pastra? A kanë partitë resurse që i bëjnë ato imune ndaj aktorëve të tretë të jashtëm apo edhe ndaj krimit të organizuar?”, u shpreh ai.

Mes akteve që pritet të prekë reforma zgjedhore është ligji për funksionimin e partive, i cili ndikon drejtpërdrejt mënyrën e funksionimit të subjekteve politike në vend. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos