Zgjedhja e Avokatit të Popullit, PS nuk pranon formulën e PD, të gjithë emrat në seancë

Nga Fjorela Beleshi
3 Dhjetor 2025, 14:49 | Politikë

Partia Socialiste nuk pranon të kushtëzohet nga PD për emrin e Avokatit të Popullit. Edhe pse kandidaturat për këtë post mbërritën në Kuvend vetëm me firmat e deputetëve të opozitës, e cila është treguar e pakursyer në bujarinë e mbështetjes politike, mazhoranca kërkon të marrë në dorë frenat e procesit në fazën e tij finale, atë të zgjedhjes së një prej kandidatëve.

Burime për A2 CNN bëjnë me dije se e majta nuk do të pranojë formulën e demokratit Gazment Bardhi, sipas së cilës PD fillimisht të propozojë 6 emra që kanë arritur të mbledhin 28 firma, nga të cilët më pas PS të zgjedhë 3, dhe në finale opozita të propozojë vetëm 1, të preferuarin e saj, që duhet të marrë votat e socialistëve në momentin e votimit në Parlament.

Ky skenar duket se nuk i shkon për shtat PS-së, e cila deri më tani mendon se lista e kandidatëve nuk duhet reduktuar përmes eliminimeve për të dalë te fituesi, por që të gjithë emrat të shkojnë në seancë plenare për t’u votuar më 11 dhjetor. Me 83 votat e saj, plus tre të partisë së Tom Doshit, të majtët mund të zgjedhin të preferuarin e vet.

Zgjedhja e Avokatit të Popullit, PS nuk pranon formulën e PD, të

Një nga emrat më të përfolur publikisht, i cili nuk përjashtohet as nga socialistët si fitues potencial, është Endrit Shabani, kreu i Nismës “Thurje”, i cili u bë protagonist i një përplasjeje të gjatë me aleatin e tij Adriatik Lapaj, duke mos e lejuar atë të merrte mandatin e vetëm të dalë nga bashkëpunimi i tyre në zgjedhjet e fundit parlamentare. I pyetur nëse do ta mbështesë Shabanin, kryetari i PD-së, Sali Berisha, la të kuptohet se kishte të tjera preferenca.

Edhe pse PD dhe PS duket se nuk kanë një dakordësi për mënyrën se si do të zgjidhet Avokati i Popullit, socialistët janë të vendosur t’i japin fund zëvendësimit të Erinda Ballancës, e cila qëndron në detyrë prej më shumë se tre vitesh përtej mandatit. Ky vendim i së majtës nuk vjen sepse ata janë të pakënaqur me Ballancën, por si një presion i shtuar nga Bashkimi Europian. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos