
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar takimet që ish-deputeti Ervin Salianji ka nisur të zhvillojë së fundmi me disa figura demokrate që dolën fitues në Primare dhe mbetën jashtë listave të kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 11 Majit.
Sipas liderit të selisë blu çdo aktivitet i zhvilluar jashtë strukturave dhe forumeve të partisë është tërësisht privat dhe nuk ka asnjë ndikim apo lidhje me veprimtarinë zyrtare të forcës politike që ai drejton.
“Asnjë aktivitet jashtë forumeve të PD nuk mund të ketë ndikimin më të vogël në PD. Çdo aktivitet jashtë forumeve të PD është strikt privat, pa asnjë lidhje me PD-në”, tha Berisha.
Më tej Berisha theksoi se PD funksionon mbi bazën e statutit, institucioneve dhe forumeve të saj, të cilat veprojnë në mënyrë të rregullt. “PD ka dhe do të ketë mbledhjet e forumeve, ka filluar debatin dhe ai do të jetë i hapur për çdo anëtar dhe drejtues”, nënvizoi Berisha.
Berisha po ashtu nënvizon se kushdo që organizon takime të tjera jashtë strukturave zyrtare e bën këtë për interesa personale.
“Çdo person që për qëllime private organizon takime, i ka ato totalisht në interesin e vet dhe nuk kanë asnjë lidhje me partinë. Ky rregull është i vlefshëm për çdo forcë politike në botë.” (A2 Televizion)