“Veprimtari private”, Berisha komenton takimet e Salianjit: S’kanë asnjë lidhje me PD

Nga Anesti Barjamemaj
3 Dhjetor 2025, 14:56 | Politikë

Veprimtari private dhe jo partiake, i cilëson Sali Berisha takimet e nisura nga Ervin Salianji dhe mbështetësit e tij me bazën e demokratëve. Për liderin e selisë blu, secili është i lirë për të bërë çdo lëvizje dhe përsërit ftesën që çdo mendim të shprehet brenda forumeve të partisë.

“Asnjë aktivitet jashtë forumeve të PD nuk mund të ketë ndikimin më të vogël në PD. Çdo aktivitet jashtë forumeve të PD është strikt privat, pa asnjë lidhje me PD-në. PD është parti me statut, me institucione, me forume. PD ka dhe do të ketë, ka filluar mbledhjen e forumeve, ka filluar debatin dhe do jetë debat i hapur për cilindo anëtar dhe drejtues. Çdo person tjetër që për qëllime private, personale, organizon takime, i ka ato totalisht në interesin e vet dhe nuk kanë asnjë lidhje me partinë”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.

I pyetur për takimet e nisura nga ai vetë në bazë, përmes ciklit të foltoreve, Berisha tha se do të shkojë në të gjitha degët e Partisë Demokratike dhe në fokus do të jetë analiza e brendshme. “Foltoret nuk mund të jenë të përditshme, por do jenë në të gjithë territorin e Shqipërisë. Jemi në atë situatë që krahas analizës që do bëhet do ketë edhe foltore në të gjithë territorin e vendit, ku demokratët, por edhe qytetarët të debatojnë, të propozojnë, të kritikojnë, të sugjerojnë ato që mendojnë për këtë situatë”, shtoi Berisha.

Por para gazetarëve, Berisha kishte dalë për një tjetër çështje, arrestimin e ish-kryediplomates së Bashkimit Evropian, Frederika Mogerinit. Lideri opozitar zhvillimet në Bruksel i lidh edhe me ato në Tiranë, referuar konkretisht hetimeve të nisura nga SPAK për numrin 2 të qeverisë.

“Pas skandalit të vjedhjes së 50 milionë eurove të taksapaguesve shqiptarë në tenderin e tunelit të Llogarasë nga Ramaduro dhe Lubi Balluku, plas skandali tjetër i vjedhjes së miliona e miliona eurove të taksapaguesve shqiptarë dhe europianë me kampusin e Kolegjit Evropian në Tiranë. E përbashkëta e këtyre dy skandaleve të përmasave ndërkombëtare është se në të dyja del protagonist kryesor Edi Rama, njëherësh kryeministri më i korruptuar i Europës”, tha Berisha.

Veprimet e drejtësisë në Bruksel, Berisha i përdor për të sulmuar Ramën, duke përsëritur akuzën se kreu i qeverisë ka penguar drejtësinë. Sipas tij arrestimi i Mogerinit tregon qartë se drejtësia belge nuk u pengua nga politika. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos