
Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, me anë të një postimi në platformën “X” bëri me dije se organizoi “një diskutim të hapur midis ambasadorëve të shteteve anëtare të BE-së në Shqipëri dhe znj. Jorida Tabaku dhe z. Oerd Bylykbashi nga Partia Demokratike”.
“Sot në Delegacionin e BE-së prita një diskutim të hapur midis ambasadorëve të shteteve anëtare të BE-së në Shqipëri dhe znj. Jorida Tabaku dhe z. Oerd Bylykbashi nga Partia Demokratike. Shkëmbyem pikëpamje mbi reformat kryesore, siç janë Reforma Zgjedhore dhe Territoriale, si dhe mbi pjesëmarrjen demokratike në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Një proces legjislativ transparent dhe gjithëpërfshirës në Parlament përmes angazhimit aktiv dhe konstruktiv nga të gjitha grupet parlamentare dhe konsultimeve kuptimplote me përfaqësuesit e shoqërisë civile është thelbësor që Shqipëria të miratojë reforma të qëndrueshme në dobi të qytetarëve të saj”, lexohet në postimin e Gonzatos. (A2 Televizion)