Edona Haklaj, aktiviste e lëvizjes “Shqipëria bëhet”, e ftuar në studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN, tregoi pse nuk bashkohen në protestat e Partisë Demokratike.
“Ne e dimë çfarë fuqie ka Edi Rama sot. Fuqi e krijuar nga bandat dhe nga ata që e kanë mbajtur në pushtet. Fakti që ne kemi qëndruar 108 ditë në shesh dhe po ashtu kemi bërë kërkesën që çdo parti politike të zbresë në shesh, të ketë një qëndresë të parreshtur sepse ne mendojmë dhe realisht e besojmë që nëse aty qëndrohet pa pushim ditë dhe natë, rrethohet kryeministria nga qytetarët e Partisë Demokratike, Shqipëria Bëhet, Lëvizja Bashkë, ia arrijmë qëllimit, por të zhveshur nga flamujt politikë sepse nuk mund të jetë një protestë vetëm e një partie politike. Duhet të jetë protesta e qytetarëve, duhet të jetë reagimi i qytetarëve, sepse ne të gjithë e dimë që jemi të vjedhur, ne të gjithë e dimë që këtu po bëhet korrupsion, ne të gjithë e dimë që ka nevojë për një qeveri tranzitore dhe prandaj kemi këmbëngulur edhe tek tryeza negociatore që një nga pikat tona është krijimi i një qeverie tranzitore 12-mujore e përbërë nga intelektualë”, tha Haklaj.
“Ne jemi të vetmit nga partitë e reja që kemi kërkuar një bashkëpunim. Në momentin që zoti Hasimja ka dalë nga selia e Partisë Demokratike, ka thënë që Partia Demokratike ka pranuar të gjitha kriteret e lëvizjes “Shqipëria bëhet” dhe bëhemi gati për tryezën. Më vonë pastaj ne kemi parë që pikat tona, që ishte qëndrimi në shesh 24 orë, që ishte tryezë pa kryetarë, që ishte një protestë e përbashkët pa logo partiake dhe pa flamuj nuk ishin pranuar. Ne po mundohemi të ndryshojmë Kodin Zgjedhor. Ne presim reagim nga partitë e tjera që dhe ata të shprehin vullnetin sikurse ne e kemi shprehur deri tani”, shtoi Haklaj.
(A2 Televizion)