"Hap krahun"- Flamur Noka thirrje publike Ramës: Do kesh fundin e keq, më beso! E ke mbushur kupën

Nga A2 CNN
27 Janar 2026, 20:52 | Politikë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka deklaruar se vendi ndodhet në “kilometrin e fundit” përballë asaj që ai e cilëson si narkoregjim.

I ftuar në emisionin Off the Record me Andrea Dangllin, Noka tha se Shqipëria nuk qeveriset më nga institucionet, por nga kartelet kriminale, ndërsa vota e lirë, sipas tij, është asgjësuar. “Hap rrugën një zgjidhjeje politike, ndryshe fundi do jetë i shpejtë”, u shpreh ai, duke paralajmëruar protesta të vazhdueshme deri në rrëzimin e qeverisë.

Noka theksoi se beteja e opozitës nuk ka si synim ardhjen e PD-së në pushtet, por largimin e qeverisë aktuale dhe krijimin e një qeverie tranzitore ose teknike, me mision të vetëm garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, shkruan A2 CNN.

Ai foli për “mllef të paprecedentë” në shoqëri, duke shtuar se shqiptarët ndihen të vjedhur dhe të nëpërkëmbur, ndërsa emigrimi dhe pasiguria janë pasojë direkte e kapjes së shtetit nga krimi. “Shqipëria sot është narkoshtet”, deklaroi Noka, duke përmendur raste konkrete të ndikimit të bandave në institucione dhe zgjedhje.

Sipas tij, vetëm një reagim i gjerë shoqëror mund të çojë në rikthimin e demokracisë dhe votës së lirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos