Hasimja denoncon heqjen e KEMP-it për një pensionist, Spahiu: Nuk vendos qeveria, por komisionet

Nga A2 CNN
6 Korrik 2026, 22:57 | Politikë

Politologu Ermal Hasimja përcolli në studion e “Off the Record” në A2 CNN mesazhin e një pensionisteje, e cila denoncoi se bashkëshortit të saj të verbër i ishte hequr padrejtësisht KEMP-i pas rivlerësimit të grupit të invaliditetit.

“Burri është i verbër, ka paralizë dhe pesë sëmundje të tjera. Nuk mund të udhëtojë çdo ditë për në Tiranë. Po t’i kishte kjo zonja këto probleme, si do bënte? Ne jemi socialistë prej 50 vjetësh, por këta nuk demonstrojnë politika sociale”, ishte mesazhi që lexoi Hasimja.

Nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, tha se raste të tilla ekzistojnë dhe se burokracia shpesh krijon padrejtësi, duke shtuar se vendimet për KEMP-in nuk merren nga politika.

“Mund të jetë hequr padrejtësisht invaliditeti dhe ai njeri të mos ketë ku ta gjejë të drejtën. Janë shumë raste të tilla”, tha Spahiu.

 “Këto nuk i përcakton Edi Rama. Këto janë një staf i tërë profesorësh që marrin vendimin se kush e përfiton ose jo KEMP-in. Kjo gjë duhet të ndryshojë”, deklaroi ajo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos