Hero apo tradhtar, i burgosur politik apo bashkëpunëtor me krimin? ‘Metamorfoza’ e Ervin Salianjit

Nga A2 CNN
15 Janar 2026, 16:31 | Politikë

Nga hero në tradhtar, nga i burgosur politik në bashkëpunëtor me krimin. Në pak fjalë, kjo është metamorfoza e Ervin Salianjit në retorikën e lidershipit të Partisë Demokratike.

Ervin Salianji ishte në pozitat e tij më të mira brenda radhëve të selisë blu para arrestimit për kallëzim të rremë për të ashtuquajturën dosje ‘Babale’.

Salianji arriti që të bënte bashkë demokratët në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit, aty ku mori vendimin e formës së prerë, shkruan A2 CNN.

E po ashtu mblodhi qindra demokratë në oborrin e selisë dhe u përcoll si hero në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, tashmë me mandat deputeti të ndërprerë.

Si hero u trajtua edhe në muajin e parë të burgimit me liderin demokrat Sali Berisha, që në fillim nga banesa, për shkak të arrestit shtëpiak dhe më pas nga selia blu, e quante Ervin Salianjin si të burgosur politik.

“Është i burgosur politik, do jetë drejtues politik nderi në Elbasan, nuk e zëvendësojmë”, shprehej Berisha asokohe.

Madje kjo ishte teza që i shërbeu Sali Berishës pasi fitoi lirinë e tij për të lëvizur jashtë kufijve, ku kërkonte mbështetjen ndërkombëtare në partitë simotra. Emri i Salianjit gjendet edhe në rezolutat e miratuara nga EPP dhe IDU, ku me kërkesë së Partisë Demokratike ish-deputeti është konsideruar si i burgosuri i fundit politik në Evropë. 

Ditët e burgut po kalonin dhe rikthimi i menjëhershëm në politikë u njoftua që në ditën e zgjedhjeve. Teksa hidhte fletën në kutinë e votimit tregoi se izolimi nuk i kishte ulur as kujdesin për look-un e tij, as vigjilencën për çfarë ndodhte jashtë, ndërsa demokratët shënuan humbjen e radhës përballë Edi Ramës.

Ky ishte takimi i vetëm me publikun i Salianjit në muajt e qëndrimit në izolim, por zyrtarë të ndryshëm të opozitës i shkonin shpesh për vizitë. Liria erdhi me ardhjen e verës.

Itinerari Fier-Tiranë mori gjithë vëmendjen mediatike… Lëvizja e tij e parë ishte politike.

Me të lënë qelinë, njoftoi se takimin e parë nuk do ta kishte me familjen e vogël, por në shtëpinë e madhe politike, Partinë Demokratike.

Por partia që e përcolli si hero, nuk i rezervoi një pritje të tillë, shkruan A2 CNN.

Çfarë rezultoi ishte thjeshtë një jehonë më e madhe mediatike. Liria e tij duket se nuk ju pëlqeu të gjithëve. Pas disa muajve qetësi publike, me ardhjen e sezonit të ri politik, nisën dhe daljet e reduktuara në media.

Asnjë analizë në Parti ndërsa argumenti për humbjen e lidershipit ishte farsa zgjedhore. Teksa zyrtarët i mëshonin fort raportit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR dhe dosjeve korruptive të qeverisë, dikush kërkoi që sytë të kthehen edhe brenda radhëve të partisë.

Ervin Salianji nisi të trazojë ujërat e ndenjur në selinë blu. Në fillim një kafe që u komentua gjatë e më pas foltore në Durrës.

Tensioni ishte i dukshëm në PD. Retorika e Berishës ndryshoi disa herë brenda pak orëve.

Takimet që si fillim u quajtën të mirëpritura, më pas u quajtën axhendë personale e në fund mashtrim demokratësh.

Por këtu vjen gabimi i parë në lëvizjen politike të Ervin Salianjit. Më 11 dhjetor në ditën e themelimit të Partisë Demokratike, ai turret për në Gjirokastër duke zhvilluar aktivitet paralel. 

Këtë hap mesa duket nuk ia fali as Ilir Alimehmeti, i cili ju bashkua fillimisht në idenë për rienergjzimin e partisë, por pas Durrësit nuk i shkoi më pas. Gjërat duket të ishin ftohur mes tyre kur pas kafes doktori i vogël ishte pritur në zyrë nga i madhi.

Foltorja e paralajmëruar e Elbasanit sosi durimin tek drejtuesit e Partisë Demokratike.

“Kali vijën e kuqe, bashkëpunoi me krimin”, tha Berisha në një konferencë për mediat.

Nga mbledhja e kryesisë vërshoi një lum akuzash se kush e përdor krimin njësoj si pushteti për ndikim politik dhe për vota.

Dhe me premtimin se do të takojë demokratët në të gjithë Shqipërinë udhëtoi drejt Korçës. Një platformë i mungon ende, por retorika e tij tashmë është bërë më e qartë, madje edhe me akuza më konkrete për lidershipin e PD.

I fituar apo i humbur, një gjë është e sigurt, Salianji ujërat në parti i trazoi. Ndërsa kupola blu pret mbarimin e mandatit drejtues në prill, tezat e ish-deputetit të dalë jashtë rreshtit, po i thuhen në sy edhe Sali Berishës në takimet e 35-vjetorëve në rrethe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos