Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me 40 rektorët e universiteteve publike dhe private në vend, ku në fokus ishte e ardhmja e arsimit të lartë dhe nevoja për rishikimin e ligjit aktual. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se po planifikohet ndërtimi i një kompleksi studentor në Tiranë dhe Durrës, si një zgjidhje për problemin e qirave të larta. “Ka një potencial shumë të madh për të krijuar infrastrukturë qëndrimi të studentëve, duke pasur parasysh trenin që do të jetë në funksion së shpejti, do të jetë shumë e thjeshtë që studentët në tiranë të strehohen në kampusin e Durrësit, do të ndërtojmë një kompleks studentor shumë të mirë që të ndihmojmë studentet për shkak të qirave të larta në Tiranë e në Durrës. Jemi në një moment të ri ndryshimi për arsimin e lartë”, tha Rama.
Ai theksoi gjithashtu se ka ardhur koha për të reflektuar mbi zbatimin e ligjit, duke marrë parasysh ndryshimet e kohës dhe përvojën e krijuar nga praktika disavjeçare. Sipas kryeministrit, ligji për arsimin e lartë, i hartuar në bashkëpunim me vetë rektorët, ka nevojë për korrektime dhe jo për përmbysje. Ai nënvizoi se procesi i rishikimit do të realizohet përmes një grupi të përbashkët pune, ku universitetet do të kenë një rol kyç falë eksperiencës së tyre. Rama sqaroi se ky proces nuk do të nisë menjëherë në sesionin e ardhshëm parlamentar, por kërkon organizim dhe konsultim të gjerë.
“Është koha për të rivizituar ligjin e arsimit të lartë, ka kaluar periudhë e mjaftueshme për të reflektuar në atë ligj, ndryshimet e kohës por dhe konstatimet e praktikës në kornizën e ligjit. Ligji aktual siç e dini është shkruar në bashkëpunim me ju, me kontributin tuaj. Ky do jetë rasti përsëri, shpresoj dhe besoj që edhe për shkak të eksperiencës, nuk bëhet fjalë për përmbysje, si në rastin kur u shkrua ligji, por bëhet fjalë për korrektime. Nuk do pësim sesionin tjetër të parlamentit, të organizohemi me grup pune të përbashkët”, tha Rama.
Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutuar ishte ndërkombëtarizimi i universiteteve shqiptare dhe përgatitja e tyre për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kryeministri vuri në dukje se universitetet, veçanërisht Universiteti i Tiranës, kanë bërë hapa të rëndësishëm drejt sigurimit të financimeve nga fondet evropiane, duke rritur kapacitetet përtej buxhetit të shtetit dhe duke krijuar mundësi të reja për pedagogët dhe kërkimin shkencor.
Rama theksoi se arsimi i lartë është një aleat strategjik i institucioneve të vendit në rrugën drejt BE-së dhe se sistemi universitar duhet të bëhet më kompetitiv, më i besueshëm dhe më i përgatitur për sfidat që vijnë. (A2 Televizion)