Pezullimi i vizave për emigrim nga SHBA Spiropali: Nuk jemi “non grata”, vizat janë në fuqi

Nga Ervin Koçi
15 Janar 2026, 15:19 | Politikë

Pas vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit për pezullimin e përpunimit të aplikimeve për vizat për emigrim për 75 vende, përfshirë dhe Shqipërinë, reagoi dhe ministrja për Europën dhe punët e jashtme, Elisa Spiropali, e cila u kujdes nënvizonte se ky vendim nuk ka pasoja për personat që zotërojnë një vizë amerikane.

“Ndërkohë që Shqipëria sot respektohet e çmohet kudo dhe është më aktive se kurrë, disa udhëhumbur në Tiranë kanë vënë kujën se SHBA-të sipas tyre kanë ngrirë e bllokuar vizat për shqiptarët. Fabula e tyre e çartur shkon aq larg sa deklarojnë se partnerët tanë historik dhe strategjik e kanë futur Shqipërinë në listën e zezë. E paimagjinueshme. Në fakt të dyja këto janë fund e krye trillime politike”, tha Spiropali.

Sipas saj pasoja e vetme është për persona që dua të aplikojnë për të emigruar në SHBA, të cilët do të duhet të presin më gjatë.

“Rregullat e qëndrimit në SHBA do të ndryshojnë në linjë me politikën e tyre të imigracionit. Pra, nuk bëhet fjalë për një vendim që targeton Shqipërinë. Po për një rishqyrtim lidhur me procesimin e vizave për qëllime emigrimi në SHBA për 75 vende, përfshirë 5 vende të Ballkanit Perëndimor. Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se do të pezullohet përpunimi i vizave të imigracionit deri në rishikim zyrtar dhe ky vendim vjen si pjesë e masave të administratës amerikane për të kufizuar abuzimet me avantazhet që ofron sistemi amerikan i migracionit”.

Lajmi për pezullimin e dhënies së vizave për emigrim për Shqipërinë u konsiderua nga opozita si vendosje e vendit në listën e zezë amerikane, për të cilët Spiropali kishte gjithashtu një mesazh.

“Pra, shkurt dhe thjeshtë, vendimi nuk ka të bëjë asgjëkundi me fabrikime nga më të çuditshmet për non grata imagjinare mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Përtej gjithë kësaj tymnaje, një e vërtetë e madhe është e qartë si drita e diellit. Shqipëria ka qenë dhe mbetet aleati dhe partneri strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vend mik me të cilin na bashkon një rrugë e gjatë dhe e pandashme vlerash dhe qëllimesh”, tha ajo.

Sqarimin ministrja Spiropali e bëri gjatë udhëtimit drejt Kievit, ku do të zhvillojë një vizitë zyrtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos