“Horizont mundësish ose humnerë falimentimi”, Rama paralajmëron operatorët ushqimorë

Nga A2 CNN
21 Prill 2026, 14:17 | Politikë

“Horizont mundësish ose humnerë falimentimi”, Rama

Kryeministri Edi Rama u tha operatorëve ushqimorë se mospërmbushja e standardeve të kërkuara nga Bashkimi Europian parashikon vetëm dy rrugë: mundësi ose falimentim.

Kreu i qeverisë u shpreh: “Ajo që e pret sipërmarrjen është një thikë me dy presa. Nga njëra anë, një horizont i ri mundësish për ata që do të jenë të përgatitur; nga ana tjetër një humnerë falimentimi për ata që nuk janë të përgatitur. Ky është realiteti. Kur vjen puna te siguria ushqimore, duke pasur parasysh pjesën më të ndjeshme që është siguria e prodhimeve shtazore dhe gjithë nënprodukteve të tyre, ne duhet ta bëjmë të qartë për të gjithë se e nesërmja do të jetë fatale nëse sot nuk do të kuptojnë se nuk janë në raport me standardet dhe se çfarë duhet të bëjnë për të qenë gati nesër”.

Rama shtoi se po negociohet për një shtyrje të afateve përtej momentit të anëtarësimit, sa i përket plotësimit të standardeve të sigurisë ushqimore, shkruan A2.

“Një nga gjërat për të cilat na duhet pak më shumë kohë është fusha e sigurisë ushqimore dhe për këtë arsye ne dhe Komisioni Europian negociojmë për një shtyrje përtej momentit të anëtarësimit të afateve, kur standardet duhet të jenë 100%, për të gjithë ata që janë të përfshirë në sektorin e bujqësisë”, shtoi kryeministri.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos