Adriatik Lapaj u shpreh se vendi ynë, sa i përket pasurisë me naftë, është një “Arabi Saudite e vogël”, por nuk po e shfrytëzojmë dot.
“Ne sot kemi të zbuluara rreth 200 milionë fuçi naftë bruto, që mund ta nxjerrim me teknologjinë që kemi. Ndërkohë, për ta krahasuar, Greqia që është fqinji ynë që është katër herë më e madhe se ne të paktën si sipërfaqe, ka vetëm 15 milionë fuçi. Ndërkohë, ne kemi kapacitet që mund të arrijmë me shpime të tjera nga 1 miliard deri në 6 miliardë fuçi, në raport me teknologjinë që duhet të përdorim. Tani, gjithë këtë pasuri të madhe si mund ta lëmë ne si mall pa zot dhe të paguajmë një nga çmimet më të larta në botë të naftës? Për territorin që kemi jemi një vend i madh naftëmbajtës. Jemi një Arabi e vogël Saudite. Kosova e merr nga portet tona dhe e jep 50 lekë më lirë. Ne sot në prokurori kemi çuar dy dokumenta që vërtetojnë gjithë veprimtarinë naftënxjerrëse në 20 vitet e fundit dhe kemi çuar pamje filmike të vendburimeve që derdhen lumenjve. Kemi hedhur hap konkret që të hetohet shpërdorimi i detyrës. Shqipëria duhet të rimarrë nën kontroll burimet e saj natyrore. Pastaj, nëse nuk e shfrytëzon dot si shtet, a ka mundësi që të mos na ndotësh?”, tha Lapaj në studion e “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2CNN.
Në lidhje me ligjin elektoral, Lapaj theksoi se “testi absolut” për Partinë Demokratike do të jetë drafti i përbashkët opozitar që, sipas tij, do të demokratizonte këtë ligj.
“Nëse ne ia dalim që të çojmë në tryezë zyrtarisht, si propozim nga e gjithë opozita, një draft që demokratizon ligjin elektoral në Shqipëri, për mua do ishte fitorja më e madhe e gjithë rrugëtimit tim politik. Ky është testi absolut për PD-në, a është distancuar apo jo nga marrëveshja e 27 korrikut të vitit 2024. Unë u thashë mos ta bënin, ajo marrëveshje i ka dhënë qyl mazhorancës 9 deputetë në tavolinë Edi Ramës. Rama mori vota për 74 deputetë, ndërkohë që mori 83 deputetë. 9 i mori si pasojë e Kodit dhe formulës. Kjo duhet të zhbëhet”, u shpreh Lapaj. (A2 Televizion)