Hoxha mbledh shtabin për situatën në Lindjen e Mesme: Siguria e shqiptarëve, prioritet

Nga A2 CNN
6 Mars 2026, 22:13 | Politikë

Hoxha mbledh shtabin për situatën në Lindjen e Mesme: Siguria e

Në ditën e parë të detyrës si ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha zhvilloi një takim me shtabin e posaçëm të ngritur në ministri për të ndjekur situatën e sigurisë në vendet e Lindjes së Mesme dhe ndikimin e saj te qytetarët shqiptarë që ndodhen në këtë rajon.

Në takim morën pjesë drejtues të ministrisë dhe ambasadorët shqiptarë në vendet e Lindjes së Mesme, të cilët po monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme zhvillimet në terren dhe po mbajnë kontakte me shtetasit shqiptarë.

Hoxha theksoi se siguria dhe mirëqenia e qytetarëve shqiptarë mbetet prioritet i institucioneve.

Postimi i plotë:

Në ditën e parë të punës, dosja e parë në tovolinën time: përditësimi me situatën e sigurisë në vendet e Lindjes së Mesme, si pasojë e përshkallëzimit ushtarak në rajon, dhe në veçanti, analizimi i detajuar i problematikave dhe nevojave të qytetarëve shqiptarë, rezidentë apo me qëndrim të përkohshëm në këto vende.

Shtabi i posaçëm i ngritur në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe ekipi drejtues i institucionit, në koordinim të ngushtë me përfaqësitë tona diplomatike në rajon, të cilat i falënderoj për angazhimin dhe përkushtimin profesional, po ndjek në mënyrë të pandërprerë dhe me vëmendje maksimale çdo zhvillim, duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët tanë dhe pranë kujtdo që ka nevojë për informacion, këshillim dhe asistencë.

Strukturat e Shërbimit të Jashtëm, në bashkëpunim me institucionet e tjera, janë në gatishmëri të plotë për të marrë çdo masë të nevojshme në varësi të zhvillimeve në vendet e prekura dhe për t'iu përgjigjur përshtatshmërisht çdo situate.

Siguria dhe mirëqenia e shtetasve tanë mbeten përparësi absolute.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos