Përplasjet në Kuvend, PS kërkon përjashtimin e Gazment Bardhit dhe Klevis Balliut

Nga A2 CNN
6 Mars 2026, 17:19 | Politikë

Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin nga punimet e Kuvendit të kreut të grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi dhe deputetit Klevis Balliu, duke i akuzuar se penguan zhvillimin normal të seancës parlamentare.

Sipas kërkesës së PS, Bardhi propozohet të përjashtohet për 10 ditë për fjalët e pahijshme, ndërsa Balliu për 30 ditë për prishjen e pajisjeve.

Socialistët argumentojnë se gjatë seancës plenare të 5 marsit 2026, dy deputetët demokratë kanë penguar zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit, duke përdorur gjuhë të papërshtatshme dhe duke bllokuar foltoren e Kuvendit.

Seanca e djeshme u shoqërua me përplasje dhe debate mes mazhorancës dhe opozitës, pas deklaratës së kreut të grupit socialist Taulant Balla ndaj Albana Vokshit. Për këtë grupi parlamenatr i Partisë Demokratike ka bërë një kërkesë për përjashtim 60 ditor nga parlamenti për Ballën.

Sekretariati i Etikës do të mblidhet të hënën për të shqyrtuar kërkesën, ku në orën 14:00 do të merret në shqyrtim kërkesa e PS-së për përjashtimin e dy deputetëve demokratë, ndërsa në orën 15:00 do të shqyrtohet kërkesa e Partisë Demokratike për Ballën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos