Një ditë pas kësaj deklarate të Taulant Ballës që shkaktoi debate dhe përplasje në Kuvend, deputetët e Partisë Demokratike kërkojnë përjashtimin me 60 ditë të kreut të grupit të PS nga punimet e Kuvendit.
Në kërkesën e firmosur nga 21 deputetë demokratë, por jo nga vetë Albana Vokshi, ata pohojnë se Taulant Balla me deklaratat e tij cenoi në mënyrë të rëndë dinjitetin njerëzor të deputetes opozitare.
Përveç përjashtimit, demokratët kërkojnë edhe kërkim ndjese nga Balla dhe reflektim nga të gjithë anëtarët e Kuvendit që gjuha e përdorur të mos degradojë.
Ndjesa nuk erdhi nga Balla, për shkak se mungoi në këtë mbledhje, por nga socialistët e tjerë të pranishëm në Komisionin e Jashtëm, të cilët reflektimin e kërkuan edhe nga demokratët.
Vetë Albana Vokshi e pranishme në mbledhje tha se fjalët e përdorura kundër saj nga Balla janë sulme politike dhe kritikoi menaxhimin e situatës nga kreu i Kuvendit, Niko Peleshi.
“Nuk jam ndjerë e fyer nga ajo që u tha dje, sepse njerëz me veprime si të tijat e turpërojnë Parlamentin. Por jam ndjerë e lënduar për mënyrën sesi kryetari i Kuvendit e menaxhoi situatën. E menaxhoi në mënyrë të turpshme dhe nga ana e grave deputete të PS për gjuhën seksiste që u përdor nga kryetari i grupit tuaj parlamentar”, u shpreh Vokshi.
Vokshi kritika pati edhe për deputetet socialiste që siç pohoi kanë heshtur për gjuhën seksiste të përdorur jo vetëm nga Balla por edhe Rama kundër grave në Kuvend. (A2 Televizion)